E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria heq serbishten nga marrëveshja me Kosovën

Pas ngrirjes së marrëdhënieve diplomatike me Serbinë, e cila ka sjellë anulimin e vizitave të nivelit të lartë në të dy vendet, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë refuzuan që të ratifikojnë marrëveshje në gjuhën serbe.

Anëtarët e Komisionit të Sigurisë, si demokratët dhe socialistët njëzëri kundërshtuan draftin e sjellë në Kuvend nga Qeveria për lidhjen e marrëveshjes së ekstradimit midis Shqipërisë dhe Kosovës, pasi ishte përdorur edhe gjuha serbe në marrëveshje, raporton ‘shekulli’.

Deputeti socialist Arben Isaraj e cilësoi të pavend përdorimin edhe të gjuhës serbe, në një marrëveshje mes dy shteteve, që kanë gjuhë zyrtare shqipen.

Pavarësisht këmbënguljes së përfaqësuesit të Qeverisë se serbishtja ishte përdorur me kërkesë të palës kosovare, marrëveshja u miratua vetëm me ndryshimin për të hequr pjesën në gjuhën serbe.

Faktikisht, në Kosovë gjuha serbe është gjuhë zyrtare, ashtu sikurse shqipja. Marrëveshja parashikon ekstradimin e të dënuarve për vepra penale midis Kosovës dhe Shqipërisë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›