Shqipëria iu bashkua sanksioneve të fundit të BE për Bjellorusinë

Shqipëria iu bashkua sërish vendimeve të politikës së jashtme të BE-së, këtë radhë për sanksionet e shtuara ndaj Bjellorusisë, krahasimisht me ato të dhjetorit.
Vendimi u deklarua në të njëjtën ditë që vendi priste nga BE t’i përgjigjej vlerësimit të ecurisë përkundër kushteve të plotësuara e çertifikuara si nga Komisioni Europian, ashtu edhe nga të gjithë vendet anëtare.
Lexuar si fisnikëri e një vendi që nuk mbahet mend t’i ketë sulmuar ndonjëherë fqinjët, pavarësisht ligjit ende në fuqi të luftës italiane kundër Greqisë nga toka e pushtuar e Shqipërisë, mosartikulimi i asnjë kërkese nga vetë Shqipëria që vendi të vlerësohej në proces për meritat e veta dhe të ndahej me këtë nga Maqedonia, iu mbivendos një tjetër kushti, atij të Bullgarisë mbi Maqedoninë e Veriut. Stereotipia e refuzimit nuk po arrin më të mbulohet me arsye mbi arsye të ngritura për Shqipërinë, duke mbërritur në pikën që edhe kur nuk gjenden më arsye për Shqipërinë, hyjnë në fuqi pengesat e Maqedonisë së veriut nga Bullgaria, që në fakt e mbështet Shqipërinë.
Liderët europianë që pas kësi praktikash, në rastin më të mirë do të duhej të mendohej se vështirë se i njohin arsyet që përmbajnë dokumentat e çdo refuzimi, nuk u duk se shfaqën as ndonjë brerje ndërgjegjeje për daljen nga termat e marrëveshjes me Shqipërinë, si dy vjet më parë kur treguan se u erdhi keq për Maqedoninë që të mos e ndanin nga Shqipëria. Vendimi për mosvendim, nuk iu përgjigj as deklarimeve të vetë ministrave të vendeve anëtare që nxituan pak javë më parë të vinin në ekip në Tiranë e të siguronin publikisht për një qendrim pro Shqipërisë, që sërish nuk e arritën dot.
Që nga viti 1995 kur Shqipëria u ftua së pari të kryente procedura konkrete për anëtarësimin në BE, seriali i procedurave, plotësimit të tyre dhe vendimeve ia ka kaluar çdo intrige filmike që nuk ka ngurruar të sfidojë vetë legjislacionin europian, mbi të cilin vendi po punon që të ngjajë. Tani është shumë thjeshtë të pyesësh, a duhet që vendi që anëtarësohet të përpiqet pikërisht për këtë legjislacion që vetë BE ua vë kusht aspirantëve, por kur vjen radha e tij për ta zbatuar e justifikon me vendime politike?