E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria kontratë me “Thales Group”, Vengu: Modernizojmë Forcën tonë Ajrore

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se Shqipëria ka hedhur një hap për modernizimin e kapaciteteve të saj ajrore. Shqipëria ka nënshkruar një kontratë me kompaninë prestigjioze “Thales Group” për pajisjen e Forcës Ajrore me radar modern për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore kombëtare.

“Kënaqësi të takoja sërish homologun francez Sébastien Lecornu, pak javë pas vizitës së tij në Tiranë. Vijojmë me hapa të shpejtë bashkëpunimin për rritjen e gatishmërisë operacionale dhe specializimin e personelit tonë,” tha ministri Vengu.

Vengu theksoi se partneriteti strategjik me Francën përbën një garanci të shtuar për zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, me fokus të veçantë në modernizimin e sistemit ajror të vendit.

Nënshkrimi i kontratës me Thales vjen në vijim të marrëveshjes dypalëshe të dakordësuar gjatë vizitës së Presidentit Emmanuel Macron në Tiranë, muajin e kaluar.

“Ky është një investim domethënës për sigurinë e Shqipërisë dhe angazhimet tona në kuadër të Aleancës së NATO-s,” u shpreh ministri.

Gjatë qëndrimit në Francë, ministri Vengu mori pjesë edhe në Panairin Ndërkombëtar të Aviacionit “Paris Air Show”, ku u njoh nga afër me risitë dhe teknologjitë e disa prej kompanive më të njohura në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si: Anduril Systems, Thales Group, Airbus, MBDA, EDGE Group, KNDS, Saab AB dhe Safran.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›