Shqipëria korigjon lojën, jo rezultatin! Kuqezinjtë munden në Suedi, krijojnë raste por nuk shënojnë

Shqipëria përmirësoi lojën, por nuk e shmangu dot humbjen as në miqësoren e dytë të zhvilluar kundër Suedisë në Stokholm.
Humbja 1 me 0 pasoi disfatën 3 me 0 të pësuan në parma të Italisë ndaj Kilit pak ditë më parë.
Megjithatë hapa para dhe në aspektin pozitiv nga njëra miqësore në tjetrën.
Kuqezinjtë luajtën si të barabartë kundër nordikëve, madje në fraksione të ndryshme të ndeshjes edhe superior, mirëpo gabuan në mbrojtje dhe më së shumti ishin steril në finalizim.
Rifituan në këtë miqësore një sulmues për të cilin është debatuar kaq shumë në opinionin publik sikurse Armando Broja dhe konfirmuam një emër si Mitaj, talent në të majtë të mbrojtjes.
Ai ishte i pari në fakt që ndezi ndeshjen në minutën e 12 përmes një shpërthimi nga e djathta, u fut në zonë, pati një kontakt me mbrojtësit vendas, por gjyqtari nuk e pa të arsyeshme të jepte penallti.
Në Friends Arena, aty ku dominonin shqiptarët për çudi të të gjithëve, u zhvillua një ndeshje dëfryese, e hapur, me raste në të dyja portat. Vendasit u përgjigjen me dy momente të mira të Nilson dhe shtylla e Forsberg sidomos, ndërsa Shqipëria nuk qëndroi duarkryq, përkundrazi në mesin e pjesës së parë prodhoi dy raste me Bajramin dhe sidomos Qazim Lacin, por pa konkretizuar dot.
Emocionet e tjera në fund të pjesës së parë u zhvendosën në fund, aty ku protagonist u bë Tomas Strakosha me dy reagime vendimtare.
E tillë nisi edhe e dyta , me protagonist Isak nga e majta, i pamarkueshëm nga Ivan Balliu, por i pasaktë në goditje.
Mirëpo Shqipëria reagon fort dhe tregon se ka një ritëm më të mirë në këtë pjesë, falë Nedim Bajramit në mënyrë të veçantë dhe herë pas here shpërthimeve të Asanit, por nuk shënojmë dot, për pasaktësi, por edhe për egoizëm. E jo vetëm që nuk shënojmë, por edhe e pësojmë në minutën e 62 kur Nilson me kokë, djeg Mihajn dhe portierin Strakosha. Kuqezinjtë i kanë meritën se nuk dërrmohen nga disavantazhi, përkundrazi janë të gjallë dhe krijojnë tre mundësi të tjera për të barazuar me Asanin, Laçin dhe Gjimshitin, por goli nuk duket.
Nuk mjafton as aktivizimi i Muçit, Hoxhës, Cikalleshit apo Muçollit për të marrë barazimin. Pas dy humbjeve në miqësore, me 4 gola të marrë dhe asnjë të shënuar, por me disa shënime më shumë në xhep, Silvinho dhe stafi i tij do të përgatiten tani për pjesën më të vështirë,…hartimin e listës së 23 lojtarëve që do të jenë në Euro 2024.