Shqipëria mbyll përgatitjet në Tiranë, kuqezinjtë udhëtojnë drejt Londrës dy ditë para, Sylvinho me disa dilema

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Tiranë përpara se të fluturojë sot drejt Londrës, në prag të ndeshjes me Anglinë.
Kuqezinjtë zgjodhën që të akomodohen në kryeqytetin anglez dy ditë përpara ndeshjes dhe jo një ditë sikurse ndodh zakonisht.
Për këtë arsye edhe seanca e fundit stërvitore në Tiranë u zhvillua paraditen e kësaj të mërkure në ambientet e “Shtëpisë së futbollit”.
Veç mungesave që tashmë dihen, dy shqetësimet e shtuara të trajnerit Silvinjo gjatë seancave të zhvilluara në Tiranë janë Ardian Ismajli dhe Marash Kumbulla.
I pari vazhdon të mos jetë në 100% që pas dëmtimit serioz që mori në muajin janar në sfidën Juventus-Empoli.
Ismajli është në pikëpyetje të fortë për të qenë në fushë në Uembli në krah të Gjimshitit.
Mirëpo edhe zëvendësuesi i tij u mundshëm Marash Kumbullua ka shfaqur disa shqetësime muskulore të cilat e kanë stresuar trajnerin e kombëtares kuqezi.
Mbrojtësi i Espanjol duhet të jetë në formacion nga minuta e para ndaj Anglisë, por në rastin më ekstrem që edhe ai nuk ia del dyshja qendrore do të përbëhej nga Gjimshiti dhe Arlind Ajeti, ndërsa në krah do të pozicionohen Balliu djathtas dhe Naser Aliji majtas.
Në mesfushë të palëvizshëm janë Ramadani, Asllani dhe Qazim Laçi ndërsa në krahët e sulmit mbeten të palëvizshëm Jasir Asani dhe Nedim Bajrami.
Në majë të sulmit favorit mbetet Rey Manaj, por Uzuni gjithashtu është një kandidat potencial për ta nisur nga fillimi në Uembli. Armando Broja është stërvitur me kohë të plotë dhe mund të ketë disa minuta në lojë e sipër.
Pas zhvendosjes në Londër këtë të mërkurë, të enjten kombëtarja do të zhvillojë stërvitjen e fundit përpara sfidës me Anglinë , seancë ku Silvinjo do të shuajë edhe dilemat e fundit para duelit të së premtes në orën 20:45./vizionplus.tv