Shqipëria miraton planin për eliminimin e hepatiteve virale deri në vitin 2030, mjekët: Testohuni herët dhe vaksinohuni

Hepatitet virale njihen si vrasës të heshtur pasi në shumicën e rasteve zhvillohen për vite pa dhënë asnjë shenjë duke dëmtuar gradualisht mëlçinë. Shpesh sëmundja zbulohet vetëm kur ky organ ka zhvilluar cirozën apo kancerin.
“Hepatiti viral përbën një problem madhor të shëndetit publik si në rang global ashtu edhe për vendin tonë”, tha mjeku Infeksionist në QSUT, Arjan Harxhi.
“Së pari janë moshat e vogla të cilët vaksinohen. Së dyti janë personat që ekspozohen shumë karshi marrjes së gjakut apo nën produkteve të tij. Personat që kanë partnerë të shumtë në jetën e tyre seksuale, personat që janë përdorues të drogërave intravenoz dhe personat që në jetën e tyre mund të kenë sëmundje të ndryshme kronike”, tha Najada Çomo, Shefe e klinikës infektive QSUT.
Në Shqipëri 3500 pacientë jetojnë me Hepatit B dhe janë nën mjekim ndërkohë që ky lloj hepatitis mbetet sfidë për autoritet ndonëse vaksinimi I detyrueshëm I të porsalindurve ka ulur ndjeshëm infeksionet tek brezat e rinj.
“Shqipëria ka eliminuar këtë hepatit, këtë sëmundje të rëndë tek fëmijët dhe kjo falë programit të vaksinimit i cili fillon qysh në 24 orët e para të lindjes dhe vazhdon gjatë vitit të parë të jetës”, tha Silva Bino, Shefe e Kontrollit të sëmundjeve infektive, ISHP
Mjekët bëjnë thirrje për kontrolle periodike me qëllim parandalimin dhe trajtimin në kohë.
“Njerëzit duhet të testohen, duhet të njohin gjendjen e tyre shëndetësore, duhet të mbrojnë mëlçinë e tyre, të sigurojnë një të ardhme të shëndetshme”, tha Adriana Babameto, Shefe e gastroheptologjisë QSUT.
Për t’ju përgjigjur sfidës së parandalimit përmes vaksinimit , depsitimit në kohë dhe trajtimit Shqipëria miratoi planin Kombëtar për Eleminimin e hepatiteve virale duke ju bashkuar objektivit të OBSH që synon uljen e rasteve të reja me 90% dhe vdekjeve me 65% deri në 2030.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/