E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria ndez skenën e “Junior Eurovision 2025”, Kroni Pula bën shqiponjën, shpaloset flamuri kombëtar

Ka ngritur siparin spektakli më i madh evropian i këngës për fëmijë, “Junior Eurovision Song Contest 2025”, ku sytë e të gjithë shqiptarëve janë drejtuar te përfaqësuesja jonë, Kroni Pula.

Shqipëria garon këtë vit me këngën ritmike “Fruta Perime”, një krijim që mbart firmën e kompozitorit të njohur Adrian Hila, i cili është kujdesur për muzikën, tekstin dhe orkestrimin. Kënga vjen si një himn gëzimi për jetën, ngjyrat dhe ushqimin e shëndetshëm, duke përcjellë një mesazh të fortë dashurie për tokën.

Shqiponja në skenën evropiane

Prezantimi i Shqipërisë ishte plot emocion që në momentet e para të spektaklit. Kroni Pula u shfaq e shoqëruar nga katër bashkëmoshatare të veshura me të bardha, duke krijuar një imazh të pastër dhe plot dritë. Vajzat shpalosën flamurin kombëtar në skenë, ndërsa vetë Kroni, në një moment krenarie, ngriti duart lart duke formuar simbolin e shqiponjës dykrenare, duke elektrizuar atmosferën.

Kur këndon Shqipëria?

Sipas shortit të përcaktuar nga organizatorët, Kroni Pula do të ngjitet në skenë për të performuar këngën e saj e 18-ta në radhë. Ajo pritet të sjellë para publikut ndërkombëtar gjithë shpirtin dhe energjinë e fëmijëve shqiptarë, me një performancë që premton të jetë plot pozitivitet.

Thirrje për votim

Mbështetja e shqiptarëve kudo që ndodhen është vendimtare në këtë garë. Votimi është i hapur online dhe është falas. Të gjithë artdashësit ftohen të mbështesin këngën “Fruta Perime” duke votuar në linkun zyrtar: vote.junioreurovision.tv.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›