Shqipëria në Bienalen e Venecias 2026, Rama: Përfaqësohet me dinjitet edhe në art e kulturë
Shqipëria po merr pjesë në edicionin e 61-të të Bienales së Venecias 2026 me pavijonin kombëtar “A Place in the Sun”, një projekt i artistit Genti Korini, kuruar nga Małgorzata Ludwisiak.
Instalacioni multidimensional ndërthur video, performancë live, animacion dhe teatër kukullash, duke krijuar një hapësirë ku identiteti paraqitet si proces i hapur interpretimi, i lidhur me historinë dhe narrativat bashkëkohore.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot foto nga aktiviteti, duke shprehur krenarinë e tij për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në art dhe kulturë.
“Me krenarinë për Shqipërinë në Bienalen e Venecias 2026, ku vendi ynë përfaqësohet me dinjitet edhe në art e kulturë”, u shpreh Rama.
Gjatë prezantimit të veprës në Bienalen e Venecias, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi se pjesëmarrja e Shqipërisë përfaqëson një moment me peshë strategjike për afirmimin e identitetit kulturor të vendit në skenën ndërkombëtare.
Ai u shpreh se Pavijoni Kombëtar është një hapësirë ku Shqipëria artikulon mënyrën se si e kupton veten dhe si dëshiron të dialogojë me botën përmes artit bashkëkohor dhe mendimit kritik.
Duke iu referuar veprës së Genti Korinit, ministri Gonxhja nënvizoi se instalacioni “A Place in the Sun” sfidon kufijtë e komunikimit dhe perceptimit, duke e kthyer pavijonin në një hapësirë ku gjuha, historia dhe imagjinata bashkëjetojnë në mënyrë eksperimentale dhe reflektuese.
Nga ana e tij, artisti Genti Korini deklaroi se projekti synon të hapë një hapësirë ku identiteti nuk paraqitet si një formë e mbyllur, por si një proces në vazhdim.
Korini theksoi se Shqipëria në këtë vepër nuk shfaqet si një imazh i fiksuar, por si një hapësirë e hapur interpretimi, e ndërtuar mbi projeksione historike dhe bashkëkohore.
/rtsh.al/