“Shqipëria në krye të procesit të integrimit”,Balla: Reforma zgjedhore do të trajtohet nga legjislatura e re

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, deklaroi se çështjet që lidhen me reformën zgjedhore do të adresohen nga legjislatura e re, që nis punën më 10 shtator.
Duke komentuar rezolutën e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, ku theksohet nevoja për përparim në këtë reformë, Balla u shpreh: “Do të jetë Kuvendi i ri që do t’i adresojë këto çështje”.
Raporti vjetor për Shqipërinë, i përgatitur nga eurodeputeti Andreas Schieder, u diskutua në seancë plenare në Strasburg dhe pritet të miratohet nesër me një shumicë të gjerë votash.
Balla falënderoi grupet kryesore politike të Parlamentit Evropian dhe Komisionin Evropian për mbështetjen e qartë ndaj integrimit të Shqipërisë në BE, duke nënvizuar se: “Kryefjala e raportit është se Shqipëria është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë proces”
/rtsh.al/