Shqipëria nis provimin për vizat

Nga Brukseli kanë mbërritur në Tiranë ekspertët evropianë që do të vëzhgojnë në terren përmbushjen e tre kritereve për heqjen e vizave.
Bazuar në rekomandimet e BE, ekspertët do vlerësojnë nëse janë rritur kapacitetet për zbatimin e ligjit, për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për sekuestrimin e pasurive kriminale.
Pas terrenit, informacioni do t’i kalojë zyrtarëve të BE që do të përpilojnë në shtator një raport nëse Shqipëria dhe Bosnja plotësojnë kushtet për të fituar liberalizimin e vizave.
Në këtë kuadër eurodeputetja Tanja Fajon do të prezantojë një projektrezolutë, votimi i të cilës do të kërkohet që të mos shtyhet.
Nëse ekspertët do të japin një vlerësim pozitiv, vendimi përfundimtar do të merret nga ministrat e Brendshëm të 27 vendeve anëtare.