E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Shqipëria për të huajt edhe pak për shqiptarët”, Rama i përgjigjet qytetarit: Inati e bën njeriun të verbër, mbi 970 mijë pushues vendas gjatë 2024-ës

Në episodin e 13-të të rubrikës “Sy m’Sy”, kreu i qeverisë Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet një komenti që lidhet me turizmin.

Qytetari shkruan se “Shqipëria është më shumë për të huajt dhe më pak për shqiptarët”, dhe i kërkon shefit të qeverisë shqiptare të që ketë më shumë investime në bujqësi dhe industrinë e lehtë përpunuese.

Duke iu referuar shifrave të INSTAT, Rama thotë se përgjatë vitit 2024, në Shqipëri kanë pushuar më shumë se 970 mijë shqiptarë.

Edi Rama: Shqipëria për të huaj dhe pak për shqiptarët. Me të vërtetë e ke? Këta të huajt kur vijnë, e marrin ushqimin me vete apo hanë në tryezat e shqiptarëve? Vijnë me krevat në krahë apo flenë në hotele, bujtina. Kjo është çudi e madhe kur thuhet se shqiptarët nuk bëjnë turizëm ose s’ka shqiptarë të tjerë përveçse disa që vijnë nga Tirana, sa shqiptarë bëjnë pushime brenda apo lëvizin për fundjava dhe s’po flas për ata që ishin me pushime jashtë, por po flas për ata që jetojnë në Shqipëri.

Ja çfarë thotë INSTAT, jo qeveria, 979 456 shtetas rezidentë shqiptarë kanë qenë pushues në hotelet dhe bujtinat e vendit gjatë 2024. Dhe këtu nuk futen ata që kanë rezidenca dytësore, ata që nuk e duan qeverinë, nuk është faj, përdorin argumentin se qenkam jashtë realitetit. S’ka rrugë, drita, ujë e bukë. Por si shpjegohet që kur realiteti paska qenë më i mirë derisa erdhëm ne dhe e prishëm. Shqipëria shihej si dele e zezë dhe turistët që vinin nga jashtë ishin shumica dërrmuese shqiptarë emigrant apo shqiptarë të Kosovës dhe të RMV. Ndërsa sot jo vetëm që këta të fundit janë shtuar, por edhe miliona të huaj. Inati e bëka njeriun të verbër e shurdh tamam tifoz futbolli ndërkohë të gjithë këtu kemi një flamur, atë të Shqipërisë. Sidoqoftë dielli nuk mbulohet me shoshë dhe shqiptarët që luftojnë punojnë dhe vlerësojnë gjërat e bëra me punë, i kanë të qartë./vizionplus.tv 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›