Shqiptarët dhe maqedonasit të ndarë për Fulen dhe Barroson

Eurokomisioneri për Zgjerim, Stefan Fule dhe presidenti i KE-së, Hoze Manuel Barroso nuk shihen me sy të mirë tek maqedonasit, ndërsa tek shqiptarë janë ndryshe.
Maqedonasit u acaruan kur mësuan se në raportin e progresit, KE në asnjë pjesë nuk ka përdorur emrin maqedonas, por emërtimin si qytetarët e këtij vendi.
Kreu shtetëror, Lidhja e Shkrimtarëve të Maqedonisë, akademikët maqedonas, rektorët e universiteteve shtetërore maqedonase, sindikatat dhe shoqata të ndryshme i kanë drejtuar letra kritike Komisionit Evropian lidhur me mospërfshirjen e mbiemrit “maqedonas” në raportin e Progresit, informon agjencia e lajmeve INA.
Në letrat e tyre kritike dhe me vërejtje në adresë të eurokomisionerit për zgjerim, Stefan Fule dhe presidentit të KE-së, Hoze Manuel Barroso janë shprehur qëndrimet se siç thuhet “ky popull është maqedonas dhe asnjëherë nuk tregton me ndjenjat, traditat dhe identitetin kombëtar”.
Ndërkohë që shqiptarët vazhdojnë të gëzojnë një respekt të theksuar për zyrtarët e lartë të BE-së, duke shprehur qartë përcaktimin e tyre për anëtarësim në këtë Bashkimin Europian.
Ndërsa përfaqësuesit e lartë të BE-së nuk shihen me sy të mirë nga maqedonasit, shqiptarët kanë vendosur t`i nderojnë. Komuna e Çairit do të shpallë qytetar nderi eurokomisionerin për zgjerim në BE, Stefan Fule.
Ky propozim ka marrë dritë jeshile nga këshilli komunal i kësaj komune, edhe pse rreth kësaj ka pasur mosmarrëveshje midis deputetëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së. Iniciativa për shpalljen e Fules si qytetar nderi nga komuna shqiptare në Shkup vjen nga një grupim qytetarësh.
Ndërkohë, pritet që edhe personalitete të tjera të forcave vendase të nderohen nga populli shqiptar dhe përfaqësuesit e tij në Maqedoni.