E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët kanë nisur të rikthehen, Arjan Gjonçaj shpjegon rastin “Berati”

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar sot në episodin e 10-të të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, me titull “Kanë nisur të rikthehen”, profesor Arjan Gjonçaj, me të cilin diskutoi mbi tendencat e migracionit dhe rikthimin e shqiptarëve në vend.

Rama e prezantoi të ftuarin si një akademik me karrierë të gjatë ndërkombëtare.

“Një profesor i mirënjohur dhe i shumë vlerësuar në rrethet akademike dhe me një karrierë të gjatë akademike në një prej shkollave më të rëndësishme të Britanisë së Madhe, London School of Economics”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se diskutimi mbi emigracionin shpesh shoqërohet me perceptime dhe stereotipe që, sipas tij, e bëjnë të vështirë depërtimin e fakteve dhe statistikave në debatin publik.

“Kam një tjetër të ftuar shumë special dhe ajo që e bën edhe më speciale praninë e tij është kurajoja për të ardhur këtu dhe për të folur lidhur me një terren totalisht të minuar ku perceptimi dhe stereotipet janë kaq të forta, sa është shumë e vështirë që faktet dhe shifrat të gjejnë rrugë për ta çarë daullen e veshit të shumë njerëzve në një drejtim tjetër”, u shpreh Rama.

Sipas tij, arsyeja e ftesës lidhet me një publikim të fundit që trajton migracionin dhe emigracionin e shqiptarëve.

Profesori Arjan Gjonçaj shpjegoi se analiza e tij mbështetet në të dhëna të studimeve të realizuara nga Banka Botërore, Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe INSTAT, si pjesë e një ankete të vitit 2024 të dedikuar për emigracionin.

Ai theksoi se fenomeni i emigracionit është kompleks dhe i vështirë për t’u analizuar për shkak të mungesës së të dhënave të plota.

“Unë kam analizuar të dhënat e Shqipërisë nga viti 1950 e deri tani dhe vazhdoj ta bëj. Emigracioni është i vështirë për t’u analizuar, sepse të dhënat nuk janë gjithmonë të sakta dhe struktura e popullsisë ndikohet kryesisht nga emigracioni, më shumë sesa nga lindshmëria apo vdekshmëria”, u shpreh Gjonçaj.

Ai solli në vëmendje një trend të evidentuar në regjistrimin e popullsisë të vitit 2023, sipas të cilit është vërejtur një rritje e numrit të shqiptarëve që janë kthyer në vend.

“Në 12 vite ishin kthyer rreth 108 mijë shqiptarë, ndërsa vetëm në vitin 2023 u kthyen rreth 26 mijë, duke treguar një rritje të dukshme të këtij fenomeni”, tha ai.

Gjonçaj u ndal edhe te rasti i Beratit, i cili sipas analizës së tij paraqet një prirje të veçantë të kthimit të emigrantëve.

Ai shpjegoi se gjatë analizës së të dhënave vuri re se Berati ishte një nga qarqet ku emigracioni neto ishte balancuar, duke reflektuar një kthim të trendit tradicional negativ.

Sipas tij, zhvillimi i turizmit dhe agroturizmit në këtë zonë ka ndikuar në krijimin e mundësive të reja ekonomike dhe në kthimin e emigrantëve.

Gjonçaj përmendi gjithashtu se gjatë periudhës kur Ervin Demo ishte kryetar i Bashkisë së Beratit janë hapur dhjetëra biznese të reja në zonën e kalasë, duke kontribuar në rritjen e punësimit dhe në zhvillimin e turizmit.

Studimi i analizuar nga ai tregon se rreth një e treta e familjeve shqiptare kanë një anëtar emigrant ose një anëtar që është kthyer nga emigracioni.

“Gjëja më interesante është se përqindja e familjeve me një ose më shumë të larguar dhe përqindja e familjeve me të kthyer janë pothuajse të barabarta, rreth 20% me 22%”, tha ai.

Sipas Gjonçajt, qarqet me aktivitet më të zhvilluar turistik si Tirana, Vlora, Durrësi, Fieri dhe Lezha shfaqin gjithashtu një numër më të lartë familjesh me emigrantë të kthyer.

Kryeministri Rama theksoi se Berati përfiton nga dy faktorë të rëndësishëm zhvillimi, turizmi dhe bujqësia.

“Berati ka dy faktorë tërheqës shumë të fortë. Ka edhe kthimin e shtëpive të vjetra në pjesë të infrastrukturës së turizmit, por edhe zonën bujqësore me rezultate shumë të mira”, tha Rama.

Gjonçaj shtoi se emigrantët që kthehen në Shqipëri janë kryesisht në moshë aktive, mbi 35 vjeç, dhe sjellin me vete jo vetëm remitanca financiare, por edhe kapital njerëzor dhe përvojë profesionale.

Ai theksoi se shqiptarët bëjnë një bilanc ekonomik përpara vendimit për t’u kthyer dhe se përmirësimi i kushteve ekonomike në vend ka ndikuar në këtë tendencë.

Profesori krahasoi gjithashtu situatën e Shqipërisë me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, si Polonia, Letonia dhe Kroacia, të cilat kanë kaluar procese të ngjashme migrimi.

Sipas tij, të dhënat tregojnë se emigracioni neto në Shqipëri po vjen gradualisht në rënie.

Ai ndau gjithashtu përvojën e tij personale kur u largua për në Angli, duke përshkruar “shokun kulturor” që përjetoi në fillim dhe situatën politike e ekonomike që gjeti atje në atë periudhë.

Sipas tij, tregu i punës në Britaninë e Madhe sot është bërë më i vështirë krahasuar me më parë, veçanërisht për brezat e rinj.

“Në gjeneratën e re tregu i punës është bërë shumë më i paqëndrueshëm”, tha Gjonçaj.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›