Shqiptarët preferojnë tendencat më të fundit për mobilim

Teksa ndërtimi dhe turizmi janë sektorët që po kalojnë ditët e tyre më të mira, industria e drurit, një derivat i dy sektorëve duket se nuk po ndjek të njëjtin trend.
Sulejman Ulliri nga Klasteri i Idustrisë së drurit gjatë një interviste në E-ZONE thotë se ka një kërkesë të rritur për mobilime, por ato nuk janë në të njëjtin trend si bumi i ndërtimit apo i njësive akomoduese që janë shtuar vitet e fundit.
“Sektori ynë vuan nga informaliteti i lartë, çdo cep pallati apo banese private ka hapur një punishte dhe prodhon dyer, mobilie dhome, kuzhine apo çdo gjë tjetër. Arsyeja e dytë lidhet edhe me konkurrencën. Si një vend që nuk prodhon asgjë, por çdo gjë e importojmë, importi është një tjetër faktor që ndikon negatvisht në prodhimin vendas, të fabrikave apo kompanive. Një arsye e tretë lidhet edhe me faktin se shumë banesa lihen bosh, pasi blerësit i kanë për investimet afatgjata”, u shpreh Ulliri në Vizion Plus
Sipas të dhënave, gjatë një viti ky treg qarkullon rreth 182 milion euro, nga të cilat 40 milion janë eksport. Por, sipas kompanive të tregut, shqiptaret janë një popull që ndjekin tendencat më të fundit dhe kërkojnë cilësi në mobilimin e banesës.
“Ne jemi një popull europian, e duam të mirën dhe cilësinë e objekteve në shtëpi. Nuk e kanë këtë tendecë vendet e rajonit. Janë të rralla rastet kur një qytetar ble në treg, cdo gjë kërkohet me porosi. Edhe përfshirja e arkitektëve në mobilimin e banesave e ka nxitur më tej tregun dhe cilësinë e produkteve”, sqaroi Ulliri në E-ZONE
Bizneset e fushës ankohen se ky sektor nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në vëmedjen e qeverisë. Asnjë qeveri në vite nuk ka dhënë mbështetje apo të ketë hartuar politika nxitëse. Ky sektor të gjithë lëndën e parë e merr në import.
/vizionplus.tv