E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptaret trukuan ndeshjen e Bundesliges

“Bild” zbardh përgjimet e antimafies italiane

Njolloset edhe një tjetër herë emri i shqiptarëve. Sipas një përgjimi të bërë ndaj një bosi të mafies italiane dhe një futbollisti të Serisë C, janë shqiptarët ata që manipuluan ndeshjen e 28 shkurtit 2009 mes Bokumit e Energi Kotbuz (3:2) “A është manipuluar ndeshja ndërmjet Bokumit dhe Energi Kotbuz 3:2 më 28 shkurt 2009”. Me këtë fjali nis shkrimi i datës 16 dhjetor 2010 të botuar në tabloidin e njohur gjerman “Bild”, i cili vazhdon më pas: Përmes zbardhjes së një telefonate të përgjuar nga antimafia italiane, shfaqen për herë të parë dyshime mbi manipulimin e mundshëm të ndeshjes së Bundesligës.
“Bild” prezanton protokollin e përgjimit të ardhur nga Italia, i cili ka bërë që të hapen hetime tashmë edhe nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB). “Biseda është zhvilluar mes bosit të mafies, Françesko Avalone, dhe futbollistit Kristian Biankone (33 vjeç, ka manipuluar disa ndeshje të Serisë C), më 2 mars 2009. Ky është teksti i dalë nga përgjimet.
Biankone: “Dëgjo, kanë bërë një proçkë në Bundesligë, kjo nuk është për të qeshur”.
Avalone: “Kur, dje?”.
Biankone: “Të shtunën. Një vepër e vërtetë mjeshtërore”!
Avalone: “Bundesliga?”
Biankone: “Po, dhe unë e kam marrë vesh një gjysmë ore para ndeshjes!”
Avalone: “Cila ndeshje?!”
Biankone: “Bokum dhe Kotbuz...”.
Avalone: “Ajo 3:2?”.
Biankone: “Ata e dinin se ndeshja do përfundonte 1-sh (fitore për vendasit). Por, deri 20 minuta përpara ndeshjes nuk ishte vënë as edhe një euro bast për këtë. 20 minutat e para pasi kishte filluar ndeshja, kanë vënë bast 1 milionë e 280 mijë euro. Gjatë kohës kur ndeshja luhej ‘live’, Kotbuzi kaloi në avantazh (2:1 minuta e 50) dhe ata i vunë sërish 30 mijë, 40 mijë euro!”
Avalone: “Këtë ata e kanë bërë në Gjermani, sepse këtu mundesh të luash ‘live’ vetëm ndeshjet e Italisë...?”.
Biankone: “Kjo është vepër e shqiptarëve!”
Shkrimi i “Bild” mbyllet me një fjali shumë intriguese: “Një gjurmë e re, e cila të çon nga Shqipëria në Bundesligë”. Kjo frazë lë shije të hidhur, pasi edhe pse në të nuk përmenden fakte, dhe ekzistojnë dyshimet të jetë vetëm një supozim i futbollistit Biankone, gazeta gjermane duket se e ka më të lehtë të besojë, që shqiptarët kanë dorë vërtet në manipulimin e Bokum-Energie Kotbuz. Ndërkohë që, mbështetur në skedën e kësaj ndeshjeje, mësojmë se në fushë kanë qenë dy futbollistë shqiptarë, Ervin Skela (te Kotbuz dhe Mërkim Mavraj te Bokum). Sipas komenteve të kohës, të dy lojtarët kanë bërë një paraqitje të mirë dhe janë vlerësuar me notën 3. Ndeshja është vendosur nga një penallti e dyshimtë në minutën e 80. Po të përfundonte ndeshja 2:2, Kotbuz do të qëndronte në Bundesligë, ndërsa Bokum do të binte poshtë. Tashmë priten rezultatet e hetimeve të DBF-së, për të hedhur më shumë dritë rreth çështjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›