E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqyrtohen nismat për shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe ligjit për investimet strategjike

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, nën drejtimin e kryetares Anila Denaj, shqyrtoi dy projektligje me nismë të deputetit Redi Muçi, që synojnë shfuqizimin e ligjit për Paketën e Maleve dhe të ligjit për investimet strategjike.

Komisioni shqyrtoi projektligjin “Për shfuqizimin e ligjit nr. 20/2025, ‘Për paketën e Maleve’” dhe projektligji “Për shfuqizimin e ligjit nr. 55/2015, ‘Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.

Në mbledhje ishte i ftuar edhe zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, së bashku me stafin shoqërues.

Në cilësinë e nismëtarit, deputeti Muçi paraqiti argumentet në mbështetje të dy nismave, duke theksuar, sipas tij, nevojën për rishikimin e kuadrit ligjor që lidhet me përdorimin e pasurive natyrore dhe tokave publike, si dhe me procedurat për investimet strategjike.

Sipas Muçit, shfuqizimi i këtyre ligjeve do të garantonte më shumë transparencë dhe mbrojtje të interesit publik në administrimin e burimeve natyrore.

Pas prezantimit të nismës, anëtarët e komisionit diskutuan mbi qëllimin dhe pasojat e propozuara të shfuqizimit të ligjeve.

Relatori i projektligjit për Paketën e Maleve, Pirro Vengu, argumentoi se kuadri ligjor në fuqi synon të krijojë mekanizma për zhvillimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të pasurive, ndërsa shfuqizimi i tij do të sillte pasoja në zbatimin e politikave të miratuara.

Sa i takon projektligjit për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, Muçi paraqiti argumentet e nismës, duke vënë theksin te nevoja, sipas tij, për rishikimin e mekanizmave që lidhen me dhënien e statusit të investitorit strategjik dhe përdorimin e pasurive publike.

Relatori Ceno Klosi vlerësoi se kuadri ekzistues për investimet strategjike mbetet një instrument për nxitjen dhe lehtësimin e investimeve, ndërsa, sipas tij, ndryshimet e propozuara nuk ofrojnë një alternativë të plotë për zëvendësimin e këtij mekanizmi.

Mbledhja vijoi me diskutime të anëtarëve të komisionit mbi dy projektligjet e propozuara.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›