E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shtatë aktivistë pro demokracisë dënohen në Hong Kong

Manjati i mediave në Hong Kong, Jimmy Lai, dhe gjashtë ish-ligjvënës u shpallën fajtorë për tubime të paautorizuara.

Të pandehurit – përfshirë një 82-vjeçar – u dënuan për përfshirjen e tyre në protestat masive pro demokracisë, në vitin 2019.

Të shtatit u deklaruan të pafajshëm, por tani përballen me maksimum pesë vjet burgim.

Pas protestave pro demokracisë, Pekini është duke shtuar gjithnjë e më shumë presionin mbi të drejtat dhe liritë në Hong Kong.

Këtë javë, Kina miratoi disa ndryshime në rregullat zgjedhore të Hong Kongut, të cilat lejojnë që deputetët e ardhshëm të këtij qyteti, të verifikohen së pari nga një komitet i regjimit të Pekinit.

Hong Kongu ka qenë koloni e Mbretërisë së Bashkuar deri në vitin 1997, kur i është dorëzuar Kinës në bazë të sistemit “një shtet, dy sisteme”.

Me këtë kornizë, Hong Kongu ka pasur të drejta të veçanta që nuk i ka gëzuar pjesa tjetër e Kinës komuniste, por, viteve të fundit, Pekini e ka shtrënguar kontrollin atje.

Protestat pro demokracisë në vitin 2019 janë nxitur nga një projekt-ligj që i lejonte ekstradimet nga Hong Kongu tek autoritetet në Pekin.

Ligji përfundimisht është anuluar, por protestat janë shndërruar në një lëvizje më të madhe kundër ndikimit kinez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›