E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtatori i Ramës

ramaFryma e re e qeverisë së Edi Ramës do të fillojë nga rendi dhe siguria, me ndërtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Si do të funksionojë ajo dhe pse do të krijohet. Çfarë do të ndodhë me shërbimet sekrete dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit

Nga Renato Kalemi*

Dy ditë pasi Saimir Tahiri u konfirmua zyrtarisht në krye të Ministrisë së Brendshme, e cila realisht cilësohet si dikasteri më i rëndësishëm i kabinetit Rama, ai nuk ngurroi tu kërkonte sugjerime nëpërmjet Facebook-ut qytetarëve që kishin rezerva për Policinë e Shtetit. E fillonte me komunikimin dhe sjelljen, për ta mbyllur me sigurinë në komunitet. E njëjta logjikë është ndjekur edhe nga figura të tjera të Partisë Socialiste, të cilat në shtator do të zënë karriget e punës, për ti dhënë një dorë të re gjithçkaje që është kryer në këto tetë vite administrimi në duart e së djathtës. Vetë Edi Rama, në ditën kur paraqiti emrat e qeverisë që do të drejtojë në këto katër vjet, premtoi një riorganizim të thellë të të gjitha dikastereve duke filluar nga Kryeministria, për të vijuar me ministritë, agjencitë dhe institucionet në varësi të tyre. Shumë besojnë se ky aksion është thjesht një revansh spastrimi në administratë, për të hequr të djathtët dhe punësuar të majtët. Kjo mbetet për tu parë, por në Partinë Socialiste thonë se prekja e thellë e organeve në varësi të qeverisë ka të bëjë vetëm me nxitjen e një fryme të re pune.

Burime nga selia rozë flasin për agjenci dhe institucione tepër të ngarkuara dhe të fryra me njerëz, të cilët vetëm sa rëndojnë buxhetin e shtetit. Pikërisht, për këto pastrime ka folur Rama në ditët e para të konfirmimit të tij si Kryeministër i ardhshëm. Në PS thonë se reforma institucionale e organeve nën varësinë e qeverisë nuk do të përfshijë vetëm shfryrjen në numër, por ndryshimin rrënjësor të disa prej tyre, shkrirjen dhe bashkimin e disa të tjerave, si dhe krijimin e agjencive të reja që mendohet të lehtësojnë punën e kabinetit qeveritar. Për Ramën, sjellja e një fryme të re që në 100 ditëshin e parë të qeverisjes socialiste është detyrim. Dhe burimet e PS-së thonë se kjo do të nisë nga rendi dhe siguria, prandaj Ministria e Brendshme e Saimir Tahirit do të marrë një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e imazhit të kabinetit Rama.

Më herët, gjatë fushatës së zgjedhjeve të 23 qershorit, Rama ka premtuar krijimin e disa organeve të reja, të cilat nuk kanë ekzistuar më parë. Për shembull, Byroja Kombëtare e Hetimit apo Agjencia Kombëtare e Bregdetit; sot, këto dy emërtesa thonë shumë pak për rëndësinë që do të kenë në qeverisjen socialiste, por realisht cilësohen si dy organe që do të sjellin përmirësime të mëdha në luftën kundër krimit (e para) dhe rehabilitimin e bregdetit të pushtuar nga ndërtimet pa leje (e dyta). Megjithatë, në selinë rozë nuk japin fort detaje për atë se çfarë do të bëjnë më konkretisht këto organe të reja sepse janë ende në fazat e para të organizimit, por thuhet se do të jenë tërësisht teknike. E njëjta gjë mendohet të ndodhë edhe me një autoritet të kontrollit financiar apo inteligjencën shqiptare. Pyetja që shtrohet rëndom sot është se sa kushtetuese do të jenë këto organe të reja? Përgjigja mendohet të vijë nga Parlamenti i ri, që do të përgatisë edhe anën ligjore të ngritjes së tyre.

Organi ndoshta, më i shumëpritur i qeverisë së re është Byroja Kombëtare e Hetimit. E deklaruar nga vetë Rama, ky institucion pritet të jetë pjesë e Kryeministrisë. Kur e hodhi për herë të parë si propozim, kryesocialisti tha se ideja e koordinimit të institucioneve të kontrollit të sigurisë në një të vetëm, vinte si pasojë e nevojës për të organizuar të gjitha ato shërbime që janë pa koordinim dhe konsumojnë pa fund para pa qenë në funksion të policisë. Kjo strukturë do të garantojnë mirëfunksionimin e brendshëm dhe koordinim me struktura të tjera të hetimit të brendshëm edhe me prokurorinë, ka thënë Rama para 23 qershorit, duke deklaruar se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB) ka rënë sepse është kthyer në një lloj SHIK-u të brendshëm në polici. Për këtë arsye ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit pretendohet të jetë reforma kryesore e PS-së për transformimin e Policisë së Shtetit, nga një organizëm nepotik dhe kriminal (siç e cilësojnë socialistët), në një strukturë funksionale që prodhon stabilitet dhe qetësi publike. Përpos ndryshimit të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Policisë së Shtetit, PS-ja parashikon të shkrijë disa organe aktuale, që sipas saj vetëm prodhojnë korrupsion dhe çorientim. Pra Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Brendshme është etiketuar si organi i parë që do të shkrihet pas konstituimit të qeverisë së re në shtator. Vendin e saj do ta zërë Byroja Kombëtare e Hetimit, me kompetenca më të gjera dhe detyra më të qarta, e cila do të bashkojë në një shërbim të vetëm shumë shërbime policore.

Byroja cilësohet si formulë për reformimin e strukturave të hetimit dhe parandalimit të krimeve, trafiqeve, kontrabandës dhe korrupsionit dhe thuhet se është një propozim i bërë nga ish kryeministri britanik Toni Bler, i cili do të jetë këshilltari luksoz i qeverisë së re. Ka nga ata që Byronë e krahasojnë me FBI-në amerikane, duke qenë se ajo synon të saktësojë tërë skemën e reformimit të strukturave të hetimit në një qendër koordinuese, si dhe do të caktojë një kufi midis hetimit të policisë dhe prokurorisë, duke luajtur edhe rolin e një policie gjyqësore. Byroja Kombëtare e Hetimit do të kryejë edhe funksionin e Shërbimi të Kontrollit të Brendshëm, duke kontrolluar punën e policisë dhe zbatimin e ligjit nga policia. Ajo do të kujdeset për menaxhimin dhe infiltrimin e informacionit për çdo çështje. Madje, sipas burimeve të selisë rozë, ky shërbim do të kujdeset edhe për sigurimin e informacionit policor, duke u nisur edhe nga dekonspirimet e aksioneve të policisë nga elemente në krye të policisë. Raste të tilla janë të shumta në policinë tonë, e jo pak herë kanë përfunduar në mënyrë tragjike për jetën e agjentëve të policisë.

Byrosë Kombëtare e Hetimit do të ketë në dorë edhe analizën e informacionit kriminal, luftën kundër trafiqeve njerëzore, armëve eksplozive anti-terror, drejtimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit, njësinë speciale të agjentëve të mbulimit, policinë shkencore dhe antikrimin kompjuterik, mbrojtjen e dëshmitarëve, policinë e qarkullimit e rendit etj. Pavarësisht se në media përflitet se në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm mund të jetë ish kryeprokurori Theodhori Sollaku, i cili nuk u kandidua për deputet në 23 qershor, ndoshta edhe me idenë për të drejtuar një institucion, burime nga PS-ja nuk e konfirmojnë këtë fakt. Madje, një emër tjetër që qarkullon këto ditë është edhe ai i ish shefit të SHISH-it, Bahri S

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›