E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtegtimi i bletëve nga Apolonia në Dhërmi, Shqipëria ofron kushte për prodhimin e mjaltit cilësor

Nga kodrat e Gjorgockës në Fier, ku kaluan dimrin, bletët e Ferdinand Muskajt janë zhvendosur në Dhërmi, në zemër të Rivierës shqiptare, për sezonin e verimit. Ky udhëtim nga Kodra e Diellit të Apolonisë në një peizazh ku mali dhe deti bashkohen, është shprehje e një pasioni të palodhur për bletarinë.

“Bëjnë shtegtim për të marrë një mjaltë më parametra bashkohore . Kemi malin e Cikës i cili na ofron shumëllojshmëri bimësh”, u shpreh bletërritësi, Ferdinand Muskaj.

Riviera shqiptare ofron kushte unike për prodhimin e mjaltit, por ndryshimet e temperaturave ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e bletëve dhe cilësinë e produktit. Muskaj thekson se përparësi po merr mjalti i prodhuar në kushte të favorshme klimatike.

“Ngrohja globale ka sjellë efektet e saj dhe shumë bletar nuk kanë mundësi shtegtimi, pranë detit kemi mundësinë që rrymat të japin freski për bletët se sa në zonat shumë të larta”, tha Muskaj.

Që prej vitit 1991, vetëm një vit pas miratimit të ligjit të parë për bletarinë në Shqipëri, Muskaj ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Ai thekson se ende ka shumë për të bërë, veçanërisht në drejtim të krijimit të një skeme funksionale laboratorësh për cilësinë e produkteve të mjaltit dhe të një shkolle veterinare të specializuar për bletët, me programe bashkëkohore dhe efikase.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›