Shtëpia e flamurit, të rinjtë e Korçës në protestë

Protesta e djeshme në Korçë për shtëpinë-muze
KORÇE- Shembja e Shtëpisë së Flamurit ka ngritur në protestë një grup qytetarësh në Korçë. Të vendosur para rrënojave të ndërtesës, grupi, i përbërë kryesisht nga të rinj, ka denoncuar shkatërrimin që po i bëhet historisë së qytetit. Një fjongo e zezë është vendosur simbolikisht mbi foton e vjetër të shtëpisë, ndërsa janë hedhur akuza për shkatërrimin që po i bëhet gradualisht vlerave të këtij qyteti. Jemi këtu për të shprehur indinjatën tonë ndaj shkatërrimit që po i bëhet trashëgimisë së këtij qyteti. Gjithçka ka ndodhur poshtë hundës së administratës shtetërore. Jemi këtu për të mbajtur zi për monumentet e kulturës në Korçë, që shkatërrohen çdo ditë dhe askush nuk reagon, u shpreh qytetari Grigor Palko. Prishja e kësaj godine historike vjen fill pas vjedhjes së pikturave me vlerë të çmueshme, në Galerinë e Arteve. Godina e Flamurit, me vlera të veçanta historike, ishte vërtet e amortizuar, por kjo që ndodhi ishte prishje, apo më saktë shkatërrim i qëllimshëm. Ka edhe shtëpi të tjera të amortizuara, por ato nuk janë shembur. Jemi këtu me këto foto, që tregojnë historinë, të shoqëruar me fjongon e zisë, për të treguar tashmë se qytetaria korçare është në zi për humbjen dhe shkatërrimin e vlerave kulturore të qytetit. I themi ndal krimeve të kulturës dhe i bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse të reagojnë, që të mos ndodhin më skandale të tilla. Kërkojmë gjithashtu zbardhjen sa më parë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve që shkatërruan një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës në Korçë, duke u bërë pjesë e një krimi kulturor, u shpreh më tej Grigor Palko. Dy ditë më parë, kryebashkiaku i Korçës u shpreh i gatshëm ta rindërtonte këtë ndërtesë, me financim të vetë Bashkisë, brenda 28 Nëntorit, që përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë.