E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shtetet e Bashkuara analizojnë pjesët e balonës së rrëzuar kineze

Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën se po vazhdojnë të mbledhin pjesët e balonës kineze të survejimit në lartësi të mëdha, që u godit dhe u rrëzua mbi Oqeanin Atlantik gjatë fundjavës. Pjesët kanë filluar tashmë të analizohen nga ekspertët e shërbimeve të zbulimit.

“Kanë marrë disa pjesë pranë sipërfaqes së detit”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, por shtoi se “kushtet e motit nuk lejuan shumë hulumtim të sipërfaqes me mbetje”, të cilat gjendeshin për mbi 11 kilometra larg bregut të shtetit Karolina e Jugut.

Me urdhër të Presidentit Joe Biden, një avion luftarak amerikan rrëzoi balonën të shtunën pasi kishte përshkuar Shtetet e Bashkuara për mbi një javë, ndër të tjera edhe mbi objekte të rëndësishme ushtarake. Kina ka pretenduar se ishte një mjet fluturues i dalë nga kontrolli që përdorej për studimin e motit dhe nuk përdorej për qëllime ushtarake, por Shtetet e Bashkuara thanë se ishte një balonë survejimi e sofistikuar.

Zoti Kirby tha se ekipet e zhytësave amerikanë “do të kenë mundësinë gjatë ditëve në vijim që të arrijnë thellësitë dhe të shikojnë më mirë se çfarë ndodhet në fund të oqeanit; por, procesi sapo ka filluar”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›