E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti shqiptar dheambasadori i SHBA

Se ç'është shteti shqiptar fotografohet shpesh nga media, me pamje që flasin vetë: ruspa gjigante mbi shtëpinë-kasolle të familjes Sina në Dajt, në njërën anë, dhe njoftimin për nisjen e procesit të legalizimit të vilave në fshatrat turistikë, nga ana tjetër. Arrogancë dhe kërcënim për të varfrit dhe servilizëm e mbrojtje për të pasurit. Ndërsa politikanë, gazetarë, artistë, biznesmenë do të marrin shpejt në dorë tapitë e legalizimet e shtëpive të dyta të ngritura pa leje në vendet më të bukura të bregdetit shqiptar, fshatarë si në Hamallaj, Dajt e kudo në periferi, shohin të thërrmohen investimet e tyre të varfra, strehëza jetike, pavarësisht se kanë bërë kërkesa dhe ata për legalizim. Të parët kanë respektuar ligjin dhe të dytët jo? Aspak. Të gjithë, në gjullurdinë e tranzicionit, kanë bërë të njëjtën gjë: kanë tentuar të përmirësojnë jetën, të bëhen më të lumtur, me një shtëpi më të mirë, në një vend më të mirë. Kanë vepruar sipas mundësive ekonomike, të ardhurave të ligjshme dhe të paligjshme, por shteti, në dukje indiferent deri tani me ta, po ndikon që dikush me të drejtë të ndjehet i lumtur, të tjerë, të vazhdojnë e të lëngojnë në varfërinë e në pafatësinë. Ligji nuk është njësoj për të gjithë e shteti nuk impenjohet për këtë.
Po këto ditë, raportoi dhe iu përgjigj pyetjeve në Senatin Amerikan ambasadori i ardhshëm Aleksandër Arvizu. Asgjë për t'u sharë. Ambasadori bëri një pasqyrë korrekte dhe optimiste të "Shqipërisë si një histori suksesi" me gjithë problemet dhe konfliktet në politikë. Ai premtoi dhe kontributin e tij për këtë. Ne, shqiptarët, "çmendemi" për Amerikën dhe ua kemi borxh mbështetjen që na kanë bërë në historinë moderne. Dashuria jonë, popullit të vogël mes Lindjes e Perëndimit, nuk ka për të reshtur kurrë për superfuqinë, por duhet transparencë dhe këtu. Gjatë mandatit të ish-ambasadorit Withers pati dy shembuj që nuk ndihmuan në atë që të gjithë ëndërrojmë: Shtetin e së Drejtës. Si ngjarja e Gërdecit, ku firma amerikane punonin e bënin afera që rezultuan të rrezikshme, ashtu dhe në ndërtimin e Rrugës së Kombit, ku sërish firmë amerikane është përfshirë në një ndërtim shumë të kushtueshëm për xhepat e varfër të një vendi që mbahet nga emigrantët, tani në krizë. Shpesh në politikë janë mbyllur sytë ndaj mjeteve të përdorura për arritjen e disa qëllimeve "të mira", por vetë shoqëria amerikane, në dekada luftë për demokraci pretendon transparencë. Më shumë se çdo ndihmë, ne shqiptarët sot kemi nevojë të kuptojmë se ç'është dhe të pretendojmë të kemi Shtet me ligje njësoj për të gjithë. Kontributi amerikan mbetet gjithnjë primar e i mirëpritur për këtë.
(marre nga Gazeta Shqiptare/ balkanweb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›