E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen lajmet negative rreth ekonomisë globale

Po shtohen provat se ekonomia globale është në rënie të ndjeshme, ndërkohë që vazhdojnë të jepen lajme negative rreth gjendjes financiare në Evropë dhe Azi.

Në një raport të qeverisë gjermane thuhet se vendi është zyrtarisht në recesion për herë të parë në 5 vjet. Në raport thuhet se ekonomia ra me gjysëm për qind në 3-mujorin e tretë të këtij viti, 3-mujori i dytë me radhë me rënie. Pakësimi i eksporteve fajësohet për rënien ekonomike.

Gjermania është ekonomia e tretë më e madhe e botës dhe më e madhja në Evropë.

Në Azi, indekset kryesore të bursave ranë ndjeshëm sot, pas rënies së ndjeshme dje në Uoll Strit dhe vendimit të qeverisë amerikane për të ndryshuar fokusin e planit të shpëtimit financiar prej 700 miliardë dollarësh.

Sekretari amerikan i Thesarit Henri Pollson tha dje se plani financiar i Uashingtonit prej 700 miliardë dollarësh po e ndryshon fokusin nga blerja e investimeve të dështuara në blerjen e aksioneve të bankave në vështirësi.

Ai tha gjithashtu se shikon shenja të përmirësimit të ekonomisë globale pas hapave të marra nga shumë vende për të stabilizuar sistemin financiar. Por ai shton se ekonomia vazhdon të jetë e brishtë.

Ndërkohë organizata me seli në Paris, për bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik tha se vendet e zhvilluara të botës janë në recesion dhe përballen me një ekonomi të ngadalsuar për një kohë të gjatë.

Udhëheqësit e 20 vendeve më të zhvilluara të botës do të mblidhet të shtunën në Uashington për të diskutuar lidhur me ekonominë.      (ze)