Shtohen makinat, por edhe biçikletat. Në 9 muaj u regjistruan 39 mijë automjete

Pavarësisht çmimit të lartë të karburantit, por dhe trafikut të rënduar në qytetet e mëdha, shqiptarët nuk heqin dorë nga përdorimi i makinës.
Këtë e tregon dhe raporti i fundit i INSTAT-it. Në 9 muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 39 mijë automjete të reja dhe të përdoruara. Kjo shifër shumë e lartë kontribuon në rëndimin e trafikut, por edhe në ndotjen e ajrit.
Aktualisht në vendin tonë janë në qarkullim 848.127 automjete dhe shifra po rritet çdo vit.
Ndërkohë nuk po ndodh e njëjta gjë më shtimin e rrugëve apo zgjerimin e tyre, të paktën jo me ritmin sa po shtohen automjetet.
INSTAT-i raporton se sot në Shqipëri gjatësia e rrjetit rrugor është 3.606 km e klasifikuar sipas kategorive autostradë, rrugë interurbane apo urbane dhe rrugë lokale.
Por ajo që bie në sy është se pjesa më e madhe e rrugëve në vend janë dytësorë, ato zënë rreth 74,2% të gjatësisë së rrjetit rrugor, pra gati 3 të katërtat e të gjithë rrugëve.
Ndërkohë INSTAT-i raporton se qarqet me numrin më të vogël të mjeteve rrugore në qarkullim janë Gjirokastra me 2,2% dhe Kukësi me 2,3%.
Një zgjidhje tjetër për këtë situatë janë edhe dyrrotakët.
“Momentalisht në Tiranë numërojmë 58 km korsi biçikletash dhe presim që ta dyfishojmë këtë numër në 94 km. Në vitin 2022 numëronim 4 për qind përdorues biçikletash, ndërsa sot 5,05 për qind,” thotë Iden Petraj, kryebashkike e Biçikletave në qytetin e Tiranës.
Gazetare: Teuta Shamku
/rtsh.al/