Shtohen rastet e bullizmit te fëmijët, ndër faktorët është edhe përdorimi i internetit

Bullizmi tek fëmijët e të rinjtë është shndërruar në një fenomen shqetësues.
Vitet e fundit, psikologët thonë se thuajse rastet e bullizmit kanë pësuar rritje dhe përdorimi i internetit në moshë të hershme është një ndër faktorët.
“Teknologjia na ka ardhur si paketë, si në aspektin pozitiv, edhe me aspektin negativ. Kemi një zhvendosje të bullizmit nga ai fizik, personal, te bullizmi kibernetik. Por pasojat dhe efektet janë tërësisht të njëjta te zhvillimi i fëmijës,” thotë psikologia Renisa Beqiri.
Një ndër pasojat e bullizmit është edhe frenimi i zhvillimit të talenteve.
“Ata e kanë të vështirë të gjejnë veten për të shprehur kreativitetin e tyre dhe refuzojnë ta bëjnë, sepse duke qenë se janë të sulmuar vazhdimisht nga bullizuesit, edhe pikën e fortë e mendojnë si një pikë të dobët,” shprehet psikologia.
Parandalimi i këtij fenomeni nuk është aspak i thjeshtë, por sipas psikologëve duhet të nisë me edukimin e fëmijëve për t’u përballur me rastet e bullizmit dhe për të vijuar me mbështetjen e institucioneve të tjera, nga familja deri tek shkolla.
“Duhet kontroll, monitorim dhe mbështetje. Elementarja është edukimi i fëmijëve për të injoruar personin që i bullizon dhe më pas për të folur me një person, që e ndiejnë afër,” shton psikologia Beqiri.
Vitin e kaluar bullizmi në internet ishte shqetësimi kryesor i fëmijëve dhe të rinjve, i raportuar në platformën kombëtare për internet të sigurt.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh.al/