E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtohen rastet me variçelë te fëmijët, mjeku: Nuk ka mjekim specifik, zgjat deri në dy javë

Kohët e fundit, mjekët në spitalin e Bashkisë Has kanë hasur raste të variçelës tek moshat e vogla. Sipas mjekut pediatër, Seit Jaku, fëmijët që shfaqin këtë problem shëndetësor nuk janë të paktë.

Jaku thotë se nuk ka një mjekim specifik për variçelën.

“Ditët e fundit kemi pasur disa raste. Mjekim specifik nuk ka, por duhet treguar kujdes. Fëmijët duhet të largohen nga grumbullimet, siç janë kopshtet apo shkollat, pasi është shumë ngjitëse,” tha mjeku.

Simptomat që tregojnë kur një fëmijë është i prekur nga variçela janë disa, por më e dukshmja është shfaqja e puçrrave në trup.

“Shoqërohet me temperaturë dhe me shfaqjen e puçrrave në fytyrë“, tha mjeku.

Nëse variçela prek fëmijët në moshë të vogël, zakonisht kalohet më lehtë, sipas specialistëve, por prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm.

Gazetare: Matilda Dokle

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›