E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen shfaqjet e “Arrëthyesit” prej kërkesave të publikut

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ “Arrëthyesi” është vepra që çdo fundviti magjeps publikun i cili nuk rresht së ndjekuri këtë balet.

Megjithëse Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit kishte vendosur 6 data shfaqjeje (23, 24, 26, 27, 29, 30 dhjetor), shitja e menjëherëshme e biletave ka bërë që të shtohet një datë tjetër, data 22 dhjetor.

Magjia e “Arrëthyesit”, kësaj përralle të ëmbël Krishtlindjeje, ka përfshirë zemrat e artdashësve duke bërë që të ketë kërkesa të jashtëzakonshme për të qenë pjesë e kësaj përvoje festive.

Ndërkohë, më datë 21 dhjetor, ora 19:00, do të zhvillohet prova gjenerale e hapur për publikun ku hyrja do të jetë e lirë. TKOB thotë se ky do të jetë një moment i veçantë ku publiku mund të zbulojë magjinë përpara se të hapet sipari, dhe të përjetojë nga afër punën, përkushtimin dhe emocionin e artistëve.

Baleti “Arrëthyesi” është pjesë e repertorit klasik, me dy akte, që paraqet partiturën ikonike të Çajkovskit dhe tregon historinë magjike të një vajze të vogël, Klarës, e cila merr një kukull “Arrëthyesi” në prag të Krishtlindjeve. Kukulla vjen në jetë për të luftuar Mbretin e Minjve dhe për të udhëtuar drejt Tokës së Ëmbëlsirave. /j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›