E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtyhet për më 17 qershor seanca për Veliaj në GJKKO

Është shtyrë për ditën e martë (17 qershor) seanca gjyqësore për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e biznesmenit Elman Abule, i cili ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Në seancën e sotme, pritej që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të paraqiste raportin 2-mujor mbi ecurinë e hetimeve.

Pak ditë më parë GJKKO refuzoi kërkesën e kryebashkiakut për zbutjen e masës “arrest në burg” ndaj tij, duke lënë në fuqi edhe masën “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule.

Vendimi i Apelit ishte konfirmim i qëndrimit të bërë të njohur më 23 prill.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, në ambientet e Bashkisë së Tiranës, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në 9 raste, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në kuadër të këtij hetimi, edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, është marrë e pandehur, duke iu caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Pak javë më parë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me Gjykatën e Posaçme sekuestruan një pronë të kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij në zonën e Kodrës së Diellit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›