E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shtyrja - Rast për zbulimin e turpësisë

Shtyrja e vendimit të Marti Ahtisarit për qartësimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, është shndërruar në një test të fundit sqarues për Serbinë, për Kosovën dhe për strategjinë e Perëndimit në Ballkan. Shtyrja e vendimit nuk është bërë për t’i realizuar këto teste, por meqë ajo është bërë, domosdoshmërisht do të duhet të jipen përgjigje në dilemat që ajo i ka ngritur.
Në të vërtetë, duket e pabesueshme që strategët e Grupit të Kontaktit dhe të OKB-së të mos e kenë ditur se Serbia në momentin e fudnit, do të shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për ta penguar definimin e statusit të ardhshëm të Kosovës para mbylljes kalemdarike të vitit 2006. Edhe më e pakuptueshme është që politikanët shqiptarë të Kosovës nuk e kanë llogaritur këtë mundësi, kur ajo ka qenë shumë e dukshme. Vetëm e dhëna që Qeveria e Vojisllav Koshtunicës mbahej në fuqi me votat e Partisë Socialiste të Millosheviqit, do të duhej t’ua bënte të qartë këtë mundësi.
Shikuar nga ky aspekt, shtyrja e imponuar nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, e ka dëmtuar kredibilitetin e komunitetit ndërkombëtar, i cili pati shpallur kalendarin sipas të cilit statusi i Kosovës do të definohej deri në fund të vitit 2006. Më të zëshmit në afrimimin e këtij kalendari kanë qenë diplomatët amerikanë, që nga ndihëmssekretari amerikan i shtetit, Nikolas Bërnsi e deri te ndërmjetësi Frenk Vizner, sikundër edhe diplomatët britanikë, që nga ministrja e jashtme Margaret Beket e deri te ministri i shtetit, Xhef Hun. Por, qëndrimi rigjid rus, sipas të cilit nuk duhet të vendoseshin afate të prera kohore, në këtë rast duket sikur doli fitimtar. Sidoqoftë, dëmtimin më të rëndë kjo shtyrje ia ka bërë mandatit dhe autoritetit të Marti Ahtisarit, ndaj të cilit kjo duket edhe si një hakmarrje tipike serbe. Mirëpo, pas hutimit të parë, negociatori Marti Ahtisari dhe diplomacia amerikane, filluan ta merrnin veten. U bë e njohur se kjo shtyrje kjo do të jetë shtyrja e fundit dhe se raporti i Ahtisarit do të dorëzohet menjëherë pas zgjedhjeve serbe të 21 janarit 2007. Më e fundit që u raportua nga zyra e Ahtisarit është se raporti do të dorëzohet gjatë shkurtit 2007.
Kjo kjo shtyrje do t’i shërbejë komunitetit ndërkombëtar, i cili pas rrëzimit të Millosheviqit ka qenë i hutuar nga “zhvillimet demokratike në Serbi”, që t’i shohë në rëntgen më realisht zhvillimet politike dhe ideologjike në Serbi. Fushata elektorale, me temat që do të trajtohen dhe me mënyrat që do të trajtohen, do të tregojë se a kanë hyrë partitë serbe në ndonjë proces të transformimit demokratik të ndryshëm nga trashëgimia e periudhës së fashizmit millosheviqiano-sheshelian. Ndërsa, rezultati do të tregojë se me kend do të ketë punë bashkësia ndërkombëtare në të ardhmen edhe lidhur me Kosoëvn.
Nëse fiton i ashtuquajturi “bllok demokratik”, dhe në të njëjtën kohë refuzon pavarësinë e Kosovës, si dhe bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, bashkësia ndërkombëtare do të detyrohet të pajtohet se Serbia ka mbetur “vrimë e zezë” në rajon dhe ta trajtojë si të tillë. Ndërsa, nëse fiton “blloku patriotik”, i kryesuar nga radikalët, bashkësia ndërkombëtare do ta kuptojë se fashizmin serb e ka legjitmuar vetë, kur ka lejuar mbajtjen e referendumit për Kushtetutën e re të Serbisë, ku partner me radikalët e Sheshelit ishin demokratët e Koshtunicës dhe ata të Tadiqit. Bile, për shkak të atij legjitimimi, tash është shumë e mundshme që të ketë një koalicion qeverisës ndërmjet demokratëve të Koshtunicës e radikalëve të Sheshelit, bash për të kërcënuar me luftë për Kosovën. Nëse statusi i Kosovës nuk shpallet menjëherë pas zgjedhjeve të 21 janarit 2007, po pritet edhe formimi i qeverisë së re të Serbisë, gati është e sigurtë që ky koalicion do të formohej ndërmjet radilalëve dhe demokratëve të Koshtunicës.
Prandaj, komuniteti ndërkombëtar kësaj here duhet ta mbajë premtimin e vet, nëse nuk dëshiron ta legjitimojë përfundimisht fashizmin serbomadh si partner të vetin. Pra, shtyrja e statusit të Kosovës ka krijuar edhe këtë mundësi të ballafaqimit të Bashkimit Europian dhe të tërë komunitetit ndërkombëtar me realitetin brutal të fashizmit serb, i cili është maskuar por nuk ka ndryshuar.
Shtyrja ka shërbyer edhe për ta testuar, përmes këtij provokimi, shoqërinë shqiptare në Kosovë. Në rast s do të kishte reagime emotive dhe trazira, armiqtë e pavarësisë së Kosovës do të ‘argumetnonin” se Kosova nuk është e përgatitur për pavarësi. Do të mundoheshin ta ekspozonin si faktor jostabiliteti rajonal, sikundër bënë me sukses pas trazirave të marsit të vitit 2004. Por, tash për tash duket se Kosova e ka përballuar me sukses këtë testim-provokim të rëndë që i është bërë, duke e lidhur kalendarin e caktimit të statusit të saj me zgjedhjet parlamentare në Serbi. Pas përballimit me gjakftohtësi të kësaj shtyrjeje, më nuk ka askush asnjë argument kundër pavarësisë së Kosovës, në funksion të stabilitetit rajonal.
Në fakt, kontributi i Kosovës për mbajten e zgjedhjeve në Serbi në atmosferë të qetë dhe pa u dhënë ndonjë kartë në dorë forcave fashiste serbe, do të duhej të vlerësohej edhe nga të ashtuquajturat forca demokratike serbe.
Logjikisht, nëse do të kishte ndojë eksces në Kosovë ndaj komuniteti serb, forcat nacionalo-fashiste në Serbi, do ta shfrytëzonin në fushatën e tyre, në dëm të të ashtuquajturit “bllok demokratik”.
Sidoqoftë, shtyrja e definimit të statusit të Kosovës, i ka detyruar të gjitha palët, që të heqin maskat dhe të nxjerrin të gjitha letrat në tavolinë. Prej kësaj perspektive po shihet më qartë se Grupi i Kontaktit është i ndarë, (Rusia në një anë ndërsa anëtaret e tjera në anën tjetër.) Periudha e mbetur deri në shkurt, do të jetë në dispozicion për sheshimin e divergjencave ose për theksimin e tyre. Nëse do të mbahet edhe ndonjë “referendum për pavarësi” në Abhazi, pas atij në Osetinë Jugore, do të bëhet e qartë se Rusia e Putinit do të ndjek një kurs të ri konfrontimi me Perëndimin. Kjo periudhë shtyrjeje do të zbulojë përfundimisht edhe orientimin e vërtet të Serbisë: a do të lëvizë drejt Europës, pa barrën e Kosovës, ose me barrën e saj do t’i rikthehet edhe më fuqimisht të kaluarës së vet fashiste. Nga reagimet e para triumfaliste, lidhur me shtyrjen e raportit të Ahtisarit,duket sheshit se do të ndiqet rruga e fashizmit vulgar dhe vetëvrasës. Ndërsa, për shqiptarët e Kosovës kjo do të jetë periudhë e rëndë pritjeje, por edhe periudhë e shpresës se Serbia dhe aleatët e saj, do të gjenden aq keq të zbuluar nga ideologjia nacionaliste dhe pansllaviste, sa që as letra e gjithë tirazhit të Kushtetutës së re dhe të zgjedhjeve të reja, nuk do të mund t’ua mbulojë turpësinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›