E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si bëhet zap Ina Rama

Qeveria është duke diskutuar një sërë propozimesh që prekin direkt interesat dhe kompetencat e organit të akuzës. Ulja e pagave në masën 30 për qind, heqja e së drejtës për pushimin ose mosfillimin e procedimit penal, zhveshja e prokurorëve nga imuniteti, si dhe e drejta për kallëzim penal ndaj Prokurorit të Përgjithshëm janë disa nga ndryshimet e pritshme

Përpjekjet e politikës për të nënshtruar organin e akuzës, të pasqyruara edhe në deklarata të përfaqësuesve të mazhorancës që shigjetojnë drejtpërdrejt Prokurorinë e Përgjithshme, pritet të zyrtarizohen me një ligj të ri, i cili zvogëlon kompetencat e këtij institucioni. Sipas burimeve të gazetës, bëhet fjalë për disa propozime për hartimin e projektligjit të ri për “Organizimin dhe funksionin e prokurorisë”, miratimi i të cilëve do të zhvishte përfaqësuesit e organit të akuzës nga një sërë atributesh që kanë aktualisht. Pikat kryesore që janë propozuar dhe po u nënshtrohen diskutimeve nga një grup i përbashkët pune mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme kanë të bëjnë me uljen e pagës në masën 30 për qind për gjithë sistemin e akuzës, përfshi Prokurorin e Përgjithshëm, heqjen e së drejtës për vendimin e pushimit dhe mosfillimin e procedimit penal, zhveshjen e prokurorëve nga imuniteti, si dhe u jep të drejtën qytetarëve të bëjnë kallëzim penal ndaj prokurorëve, duke mos përjashtuar as Prokurorin e Përgjithshëm.

Ndryshimet

Pikat më të nxehta që pritet të ndryshohen në ligjin për prokurorinë, sipas burimeve nga institucioni i akuzës, prekin drejtpërdrejt jo vetëm sistemin e prokurorisë, por dhe vetë prokurorët. Çështja më e diskutueshme është reduktimi i pagave të prokurorëve në masën 30 për qind, duke përfshirë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Aktualisht paga e një prokurori pranë Gjykatës së Shkallës së Parë është e barabartë me pagën e një gjyqtari të kësaj shkalle, dhe nëse miratohet ky propozim, prokurori do të paguhet 30 për qind më pak se gjyqtari. I njëjti parim vlen edhe për Prokurorin e Përgjithshëm, paga e të cilit aktualisht është e barabartë me kryetarin e Gjykatës së Lartë. Mbrojtja e prokurorit është një pikë tjetër e cila pritet të ndryshohet. Me propozimet e reja, prokurori mund të ndalohet, kontrollohet ose arrestohet pa marrë leje nga Prokurori i Përgjithshëm. Sipas ligjit aktual, në rast se kreu i akuzës nuk jep pëlqimin brenda 24 orësh organet përgjegjëse janë të detyruara të lirojnë prokurorin. Kallëzimi penal ndaj prokurorëve është një çështje që mund të rrezikojë seriozisht pozicionin e prokurorit. Me propozimet për ligjin e ri, sipas burimeve, u jepet e drejta të gjithë qytetarëve të bëjnë kallëzim penal kundër prokurorit, i cili pezullohet automatikisht. Miratimi i këtij ndryshimi do të prekë edhe Prokurorin e Përgjithshëm, i cili me ligjin aktual emërohet dhe shkarkohet nga presidenti me pëlqim të Kuvendit.

Ndryshimi kërkon riformatimin e sistemit

Propozimi për heqjen e së drejtës së prokurorit për të pushuar apo mosfilluar një procedim penal, duke ia kaluar këtë kompetencë gjykatës, kundërshtohet nga ekspertët. Të kontaktuar nga “Korrieri”, disa ekspertë thanë se një ndryshim i tillë në ligjin për prokurorin do të kërkojë ndryshimin e gjithë sistemit ligjor. Duke iu referuar Italisë, e cila aplikon një sistem të tillë, ekspertët thanë se në vendin fqinj hetimet paraprake ndiqen nga një gjyqtar, i cili merr të gjithë vendimet për një procedim penal të caktuar, përfshi edhe pushimin e procedimit. Në Shqipëri hetimet paraprake ndiqen nga prokurori, i cili ka të drejtën e pushimit ose mosfillimit të procedimit penal. Sipas ekspertëve, nëse do të realizohet një ndryshim i tillë, patjetër që do të ketë nevojë edhe për një gjyqtar, i cili do të ndjekë hetimet paraprake, gjë e cila kërkon ndryshimin e gjithë sistemit.

Disa nga pikat e propozuara për ndryshim

1. Ndryshimi i pagës

a) Paga e Prokurorit të Përgjithshëm është e barabartë me pagën e kryetarit të Gjykatës së Lartë. Me propozimet për ndryshim pritet të ulet në masën 30 për qind

b) Paga e prokurorit është e barabartë me pagën e gjyqtarit të gjykatës pranë së cilës funksionon prokurori ku ai është emëruar. Me propozimet për ndryshim paga e prokurorit ulet automatikisht në masën 30 për qind

2. Funksionet e prokurorit

Sipas nenit 24 të Kodit të Procedurës Penale, neni 24, pika 2, thuhet se prokurori ka të drejtë të mos fillojë ose të pushojë procedimin penal në përputhje me kodin. Me propozimet për ndryshim kjo kompetencë i kalon gjykatës.

3. E drejta për kallëzim penal

a) Prokurori mund të pezullohet nga detyra, kur ndaj tij fillon një procedim penal deri në përfundimin e procedimit

b) Kur zbulohen shkelje të rënda disiplinore

c) Kur Prokurori i Përgjithshëm i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e prokurorit nga detyra

Me propozimet për ligjin e ri, prokurori pezullohet automatikisht nga detyra në rast se ndaj tij depozitohet një kallëzim penal.

Ky propozim prek edhe kreun e akuzës, duke i dhënë të drejtë çdo qytetari që të depozitojë kallëzim penal për Prokurorin e Përgjithshëm

4. Mbrojtja nga procesi penal

a) Prokurori nuk mund të ndalohet, kontrollohet ose arrestohet pa pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm, përveç rasteve kur kapet duke kryer një krim.

b) Në qoftë se Prokurori i Përgjithshëm brenda 24 orësh nuk jep pëlqimin për dërgimin në gjykatë të prokurorit, organi përgjegjës është i detyruar të lirojë prokurorin

c) Kjo pikë është propozuar të ndryshojë, duke shmangur Prokurorin e Përgjithshëm. Sipas propozimit, policia mund të ndalojë, kontrollojë ose arrestojë prokurorin, pa pasur nevojë për pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›