E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si blihet heshtja e OJF-ve

Një e katërta e organizatave jo fitimprurëse qe funksionojnë ne Shqipëri mbështeten me para nga qeveria. Ndërsa pjesa me e madhe e shoqatave janë në pritje të këtyre fondeve. Por sa aktive shfaqen këto organizata të shoqërisë civile në çështjet me interes të gjerë publik e që kanë tërhequr vëmendjen mediatike?  Megjithëse prej rreth 25 ditësh një grup të përndjekurish luftojnë me jetën, pa hyre në debatin nëse kërkesat janë të drejta ose jo, zëri i këtyre OJF-ve nuk është dëgjuar veç disa organizatave, që nuk mbështeten nga fonde qeveritare.

Në Shqipëri ekzistojnë 1651 organizata jo fitimprurëse, të regjistruara pranë organeve tatimore, te shpërndara ne 12 qarqet e vendit. Përqendrimi më i madh i tyre është në kryeqytet, ku kane selinë 1046 shoqata. 235 prej këtyre OJF janë regjistruar pranë Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, një organizëm i ngritur për të financuar me fonde nga buxheti i shtetit shoqatat në interes të publikut për çështje te ndjeshme.  Vizion Plus ka siguruar listën e plotë të projekteve të financuara nga Agjencia e Shoqërisë Civile. Janë 69 nisma të këtyre OJF, që kanë kushtuar 120 milion lekë të reja. Projekti më i vogël ka siguruar 500 mijë lekë financim, por shuma p.sh. në mbështetje të iniciativave për rini aktive, shkon deri në 5.1 milion leke.

Aktivitetet dhe projektet në letër prekin një gamë të gjerë tematikash dhe referuar prezantimit konkurrues për fonde, këta aktore të shoqërisë civile pretendojnë se hyjnë në sektorët më delikate ku nuk ndihet prania e strukturave shtetërore. Madje në ftesën publike të Agjencisë për të konkurruar me projekt-propozime shprehet veçanërisht interes për fenomenet: Kundër dhunës ndaj fëmijëve apo nisma lobuese që promovojnë interesat e grupeve vulnerabël të shoqërisë. Po kështu në heshtje pothuaj kanë kaluar edhe denoncime të natyrave të ndryshme, të ardhura nga faktorë të shoqërisë apo politikës, si fushata elektorale e kryeministrit në shkolla, dëbimi diskriminues i punonjësve nga puna apo dhuna e krimet makabre ndaj të miturve, ku përgjegjësia shpërndahet në organet ligjzbatuese. Duket se është e vështirë, në mos e pamundur, të vihesh përballe burimit prej nga vijnë paratë e financimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›