E Diel, 1 Nëntor 2026

Si janë larguar trajnerët e huaj nga ShqiperiaVetëm dy nga katër trajnerët e huaj të punësuar në “epokën Duka”, gjermani Hans Peter Brigel (2002-2005) dhe kroati Oto Bariç (2006-2007) kanë mundur ta përfundojnë kontratën e tyre në drejtimin e K

Vetëm dy nga katër trajnerët e huaj të punësuar në “epokën Duka”, gjermani Hans Peter Brigel (2002-2005) dhe kroati Oto Bariç (2006-2007) kanë mundur ta përfundojnë kontratën e tyre në drejtimin e Kombëtares, ndërsa nga dy të tjerët, italiani Xhuzepe Dosena (korrik-tetor 2007) e holandezi Ari Han (janar 2008-prill 2009), i pari e braktisi Shqipërinë, ndërkohë që i fundit u shkarkua.

DOSENA
Italiani Xhuzepe Dosena ishte dhe i pari në serinë e gjatë të trajnerëve të huaj të emëruar nga FSHF-ja, përmes presidentit Armand Duka. Dosena mbërriti në Shqipëri për të pasuar të shkarkuarin Sulejman Demollari, i fundit trajner shqiptar që ka drejtuar përfaqësuesen. Pa asnjë mundësi për ndeshje miqësore, Kombëtarja nën drejtimin e Dosenës barazoi me Zvicrën (1-1) në Tiranë dhe humbi në transfertë me Rusinë (4-1). Italiani u “arratis” pa lënë të paktën një letër lamtumire, ndërkohë që FSHF ia morri me gjyq një pjesë të parave që i kishte dhënë. Përpara se të merrte Shqipërinë, Dosena kishte drejtuar Ganën dhe kishte qenë ndihmës i Cezare Maldinit te Paraguai në Kupën Botës 2002. Mbahet mend si një “tradhtar” i besimit të FSHF-së.

BRIGEL
Gjermani Hans Peter Brigel, edhe pse pa ndonjë eksperiencë të madhe si trajner, arriti të vendoste shtatë rekorde me Shqipërinë, ku spikat numri 13 i pikëve të grumbulluara, gjë që nuk e ka arritur askush më parë, qoftë ky i huaj apo shqiptar. Brigeli e nisi me një fitore historike kundër Rusisë (3-1), por kulmi i tij ishte triumfi madhështor kundër kampiones së Europës, Greqisë (2-1). Solli një disiplinë taktike e frymë të jashtëzakonshme grupi te lojtarët e Kombëtares, por edhe prurje të reja. Fitoi edhe një mandat të dytë me përfaqësuesen, por në të tretin iu vunë kushte të papranueshme prej tij në kontratë. I larguar kokëlart e me respekt nga Shqipëria.

BARIÇ
Kroati Oto Bariç ishte një zgjedhje personale e Armand Dukës, dhe njëherësh nga më befasueset, pasi në kohën që “Oto Maximale” morri përfaqësuesen tonë ishte thuajse 74-vjeç, njëherësh edhe trajneri më i moshuar në botë, që drejtonte një ekip Kombëtar. Bariç do të mbahet më mend si “më i madhi” i trajnerëve që ka drejtuar ndonjëherë Shqipërinë, por edhe si më “revolucionari” pasi “plakushi” ishte i dashuruar me futbollistët e rinj dhe të talentuar. Dy ndeshje të mëdha me Bullgarinë e dy dinjitoze me Holandën, por me dy humbje të turpshme me Bjellorusinë e Rumaninë, e detyruan të jepte dorëheqjen, pa e përfunduar në kohë kontratën, por me ndeshje të përfunduara. Kishte pranuar në parim rinovimin, por nuk preferoi më bashkëpunimin pas humbjes me Rumaninë. Profesionist i madh, takticien i pagabueshëm.

HAN
I përzgjedhur me rekomandimin e avokatit të njohur shqiptaro-austriak Skënder Fani, presidenti Armand Duka ia imponoi zgjedhjen e holandezit “hokatar” Ari Han, Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. I mirëpaguar, 300 mijë euro kontratë, Hani nuk dëshmoi se e meritonte atë shumë të kripur për buxhetin e FSHF-së. Gjithsesi, dy barazimet e mëdha me Suedinë e Portugalinë, duket se kanë qenë më shumë pjesë e fatit dhe kontributit të lojtarëve se sa fryt i punës së tij. Edhe pse pjesë e Holandës së futbollit total nuk guxoi kurrë të luante në sulm, edhe pse luanim kundër Maltës. Shkarkimi i tij erdhi si presion popullor, por dhe mosrealizimit e objektivit kryesor, zënien e vendit të katërt. Hani tani është thjesht një kujtim që duhet harruar.

Gjashtë trajnerët e huaj të Shqipërisë

Ari Han (holandez)
01.01.2008-15.04.2009

Oto Bariç (kroat)
01.07.2006 01.06.2007

Hans Peter Brigel (gjerman)
29.03.2003 30.05.2006

Xhuzepe Dosena (italian)
12.07.2002 16.12.2002

Miklos Vadas (hungarez)
29.11.1953

Ljubisha Broshiç (serb)
22.09.1946 13.10.1946

E Merkure, 15 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›