E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si mbijetoi diktatura nëpërmjet poshtërimit

09-12-2012 / Nga Luan Myftiu

Dihet që tiranët e kanë frikë popullin. Kjo u buron nga padrejtësítë që i bëjnë. Se diktaturat e dinë që nuk mund të pajtohet viktima me xhelatin. Ndryshe, përse do t’i lëshonte Enver hoxha tërë ato direktiva për forcimin e vazhdueshëm të luftës së klasave? Përse do të zhdukte aq të pafajshëm, nëse nuk do të shihte kudo armiq? Përse do të sajonte ai armiq, edhe kur të tillë nuk shfaqeshin? Jo! Ai demon e dinte se nuk shndërroheshin dot njerëzit në robotë duke i marrë me të mirë. Ndaj i duhej doemos dhuna. Sepse liría, që lind bashkë me njeriun, nuk i nënshtrohet lehtë tiranisë. Prandaj diktaturat nuk e njohin mirësínë, as humanizmin. Mirëpo, meqë edhe dhuna ka kufí vdekjen, përtej së cilës çdo tirani ndihe e pafuqishme, gjenitë e së keqes shpikën degradimin e popullit, përçarjen e tij, implikimin e tij në krimin e tiranive. Për këtë diktatura komuniste përdori “vijën e masave”, d.m.th. realizimin e krimeve të saj ndaj popullit me duart e vetë popullit. Dhe kjo “vijë kriminale” prezantohej prej tyre si demokrací, si respektim i vullnetit të sovranit. Kur ajo nuk qe, siç thotë një i ditur,  veçse “kopaçja e popullit për popullin”. Ndërkohë diktatori sodiste i kënaqur nga tribuna dhe lumturohej, kur dhe vetë viktima e ndihmonte kështu që ai të realizonte krimet ndaj saj.
Se, meqë diktaturat nuk jetojnë dot pa sajuar armiq imagjinarë, ato do të izoloheshin shpejt, nëse do t’i godisnin vetë njerëzit e pafajshëm dhe, nëse nuk do t’ia linin sovranit “kopilin” në derë. Ndërsa populli, për t’i shpëtuar disi terrorit të tyre, shtirej sikur nuk e kuptonte këtë “kurth” ndaj tij. Kështu tirani qetësohej duke realizuar devizën “të gjithë kundër të gjithëve”, kurse populli, duke u armiqësuar kështu brenda vetes, bëhej më pak i rrezikshëm për diktaturën. Se, duke u bërë bashkautorë në krimin e saj, njerëzit nuk mund t’i kundërviheshin tiranisë. I përlyeri nuk i del dot kundër një pushteti, që mund t’ia kujtojë atij në çdo çast mëkatin. Ashtu si një dëshmitar i rremë do t’u mbante doemos “ison” atyre që e kishin komprometuar. Të gjithë detyroheshin kështu të ulnin kokën para mizorive të tiranisë. Prandaj diktatura organizonte demaskimet publike të njerëzve me reputacion. Prandaj detyronte ajo edhe djalin të akuzonte babanë. Prandaj Sigurími i Shtetit u rrëmbente njerëzve firmat për t’i bërë me zor spiunë. Se vetëm duke i katandisur qytetarët në “fundërrína”, duke i asgjësuar, pra, ata moralisht, diktatura ndihej e qetë. Vetëm me njerëz pa personalitet ajo i bënte kundërshtarët e saj të parrezikshëm për veten. Dhe nuk pyeste diktatura për degradimin që i bënte kombit. As për humbjen e virtyteve shqiptare. Përkundrazi ! Tërë kohën ajo kërkoi diferencimin dhe armiqësímin e bashkëkombasve. Vetëm kështu ajo e krijoi “unitetin” pervers parti-popull. Kështu bëri ajo modë përbuzjen dhe urrejtjen e paarsyeshme klasore. Kështu, me bashkautorësínë në krim, diktatura “siguroi” pushtetin, kreu “bashkimin” e dhunshëm të popullit rreth saj. Me bashkautorësínë në krim ajo krijoi edhe armiqësimin e popullit me veten e tij. Kështu, me  kameleonë e kllounë, me njerëz pa personalitet, ajo detyroi shumë njerëz edhe ta duartrokisnin, madje, edhe kur e dinin që do t’u vinte një ditë radha. Kështu shtypte ajo çdo ndjenjë liríe dhe pavarësíe individuale dhe i bënte njerëzit të ndiheshin të vetmuar përballë një barbarie, që u kërcënonte çdo ditë dinjitetin, nderin dhe jetën! Kështu u gatua ai llahtar, që i bëri njerëzit të kishin frikë edhe nga këmisha që kishin veshur. Por kështu u krijua edhe ai konfliktualitet permanent, që nuk po na ndahet as sot e kësaj dite! Se është jehona e asaj fryme “armiqësimi” pa shkak, e atyre përbuzjeve dhe paragjykimeve klasore, të cilat kanë bërë që edhe sot të ndihet ndarja edhe për shkak bindjesh partiake. Se, tek ai dallim klasor e konflikt artificial e ka ndoshta burimin edhe kjo luftë e pajustifikuar klasore, “militantiste”, etj. Prandaj, duke parë sot atë shkallë të lartë presioni dhe terrori, me të cilin diktatura realizoi veten, është vërtet një mrekulli mahnitëse e forcës së karakterit dhe e bujarísë së shpirtit shqiptar, që nuk zbriti deri në ato honet e errëta të degradimi moral, ku kish planifikuar ta rrëzonte diktatura. Se qe madhështia morale dhe shpirtërore e këtij populli, që ruajti vlerat e trashëguara në shekuj, të cilat e shpëtuan atë nga ai degradim i frikshëm! Ndaj jo rastësisht kanë dalë nga gjiri i tij edhe heronj legjendarë si Skënderbeu, edhe shenjtorë si nënë Tereza, edhe artistë si Aleksandër Moisiu! Por dhe mija shkrimtarë, historianë e filozofë, gjuhëtarë e poetë, trima të pushkës e të penës, si dhe udhëheqës të mëdhenj.    
Megjithatë, reminishenca të mentaliteve komuniste, edhe si kjo e bashkautorësísë së popullit në krimin komunist, po shfaqen edhe sot në përpjekjet e disa mëkatarëve të djeshëm, të papenduar, të cilët përsërí po përpiqen të komprometojnë popullin në korrupsion. Ta frymëzojnë atë të dojë edhe fitimin e padrejtë, kur aspirojnë vetë edhe një fitore elektorale të pamerituar! Sepse, janë këta “gogolë” klasorë, që, jo vetëm nuk janë ndarë me të kaluarën komuniste, por po e përdorin edhe sot filozofínë kriminale të ortakërísë në krim, për t’iu kundërvënë demokracinë, madje, deri në caqet, sa të vënë edhe interesat vetjake, a partiake mbi ato kombëtare! Të pengojnë edhe integrimin e Shqipërísë në BE duke sajuar pengesa me anë problemesh dytësore! Mirëpo harrojnë që edhe ajo filozofia e tyre e bashkautorësísë në krim e përmban brenda vetes bumerangun e pashmangshëm! Prandaj trashëgimtarët e këtyre teorive kriminale nuk kanë të ardhme, sado të përpiqen ta bëjnë popullin ortak në shpifjet, intrigat, mohimet, bojkotet dhe bllokimet e tyre antishqiptare.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›