E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguracionet, sipas CV-së së shoferit

Ard Kola

Tarifat

Variantet me liberalizimin e tregut. Do të aplikohen bonuse, por edhe penalitete

ARD KOLA

monitor 573.inddNëse je shofer i mirë, pra nuk ke shkaktuar dëme për një kohë të caktuar, mund të përfitosh bonuese nga kompanitë e sigurimeve, si në aspektin preferencial të tarifave, por edhe te shërbimet. E kundërta do të ndodhë me shoferët e padisiplinuar, të cilët kanë shkaktuar aksidente, në dëm të mjetit, por edhe të shoqërisë siguruese. Ndaj tyre do të aplikohen tarifa më të larta etj. Kjo është njëra anë e ndryshimeve në ligjin e sigurimeve, që synon në thelb liberalizimin e tregut, duke stimuluar kompanitë të jenë më fleksible me shërbimet dhe se tarifat të ofrohen në bazë të normës së riskut që paraqet mjeti dhe drejtuesi i mjetit të transportit.

Ky projekt, i cili po realizohet edhe falë bashkëpunimit me Bankën Botërore, paraqet një mundësi për të kaluar drejt një tarifimi më efektiv, në llogaritjen e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, që është ai me bazë riskun, deklaroi dje Enkelejda Shehi, kryetare e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

AMF-ja që prej shtatorit të vitit 2011 ka filluar projektin mbi Liberalizimin e sigurimit të detyrueshëm motorik në Shqipëri dhe se sot pritet të zhvillohet raundi i fundit mes këtij institucioni dhe kompanive private të këtij sektori.

Aktualisht, projekti i cili ka kaluar nëpër disa hapa zhvillimi, është tashmë në fazën përmbyllëse, janë hartuar dokumentet strategjikë, që do të përcaktojnë drejtimet kryesore ku do të fokusohen në të ardhmen shoqëritë e sigurimit dhe AMF-ja. Shehi thotë se është punuar shumë ngushtë me operatorët e tregut, duke ua bërë të qartë se cilat janë zhvillimet pozitive të reformës në këtë sektor.

AMF-ja pranon se dy vjet pas miratimit të ligjit, situata në treg nuk reflektoi pritshmëritë, u vërejtën deformime dhe se kompanitë nisën të luanin në mënyrë jo korrekte sa u takon tarifave. Tarifat e primit të sigurimit kanë lëvizur shpesh gjatë vitit 2012, me kapërcime të ndjeshme, nga 80 mijë, në 12 mijë, pastaj në 17 mijë, dhe më vonë në 60, për të përfunduar deri në 40 mijë. Vendimet janë marrë në grup nga kompanitë e sigurimeve, kurse Autoriteti i Sigurimeve ka nisur hetimin për mënyrën sesi veprojnë shoqëritë.

Sipas projektit të ri, tarifat e sigurimit të detyrueshëm motorik pritet të jenë të drejta për konsumatorin dhe ti shërbejnë atij, efikase në drejtim të kostos dhe nxitëse për një drejtim më të sigurt automjeti, duke prezantuar sistemin bonus/malus.

Kushtet aktuale të tregut paraqiten të paqëndrueshme dhe kanë krijuar një presion të tillë që çon në luhatjen e çmimeve të sigurimit të detyrueshëm motorik, deklaroi dje Shehi.

Në vende të tjera, ku janë zbatuar qasje të ngjashme, është dëshmuar që frekuenca e aksidenteve rrugore është përgjysmuar pas një periudhe 15-20-vjeçare.

Në zbatim të këtij projekti, AMF-ja ka bërë përmirësime të ndjeshme në Qendrën Kombëtare të të Dhënave për Sigurimin e Detyrueshëm Motorik, në drejtim të furnizimit të parametrave të nevojshëm për klasifikimin me bazë risku të marrjes në sigurim të mjetit dhe drejtuesve të tij, duke integruar mundësimin e përqasjes Bonus Malus. Një gjë e tillë u krijon mundësi shoqërive të sigurimit të llogarisin tarifa sigurimi të lidhura drejtpërdrejt me historikun e dëmeve të drejtuesit të mjetit.

Tregu 

Kontratat - Rritja vjetore llogaritet me rreth 7.4%, ndërsa volumi i primeve të shkruara bruto arriti në 8.9 miliardë lekë, në krahasim me 2011-n

Dëmet - Raporti mes sigurimit të detyrueshëm dhe atij vullnetar mesatarisht luhatet: 51.1%:48.9% kundrejt 45%:55% që ishte në 2011-n

Shpenzimet - Primi për frymë mesatarisht është 3,172 lekë ose 261 lekë më shumë se në vitin 2011, por rreth 88% shpenzohet për sigurimin e jo jetës

Himara - Rasti i vajzave të dëmtuara në aksidentin e Himarës, vitin e kaluar, po ndiqet nga AMF-ja, ku sipas së cilës, u janë ofruar asistencë në plotësimin e dokumentacionit për përfitimin e zhdëmtimit nga sigurimi

Siguracionet, sipas CV-së së shoferit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›