Siguria e sezonit turistik veror, 1800 vrojtues të licensuar

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Flukset turistike në vendin tonë janë shoqëruar edhe me masa të posaçme për rritjen e sigurisë dhe menaxhimit të infrastrukturës, në mënyrë që të ketë rritje të qëndrueshme të turizmit.
Kështu, siguria ishte në qendër të menaxhimit të sezonit veror 2024, ku oferta e larmishme bregdetare u shoqërua me rregulla të qarta për operatorët e turizmit detar.
Agjencia për Media dhe Informim në një publikim e vuri theksin tek siguria në turizëm, duke theksuar se ky sezon veror pati numrin më të lartë të mjeteve të certifikuara të cilat ofronin shërbime turistike në det, sikundër 1800 vrojtues të licencuar që kontribuan për të garantuar sigurinë në plazhe, duke shënjuar edhe një trend të ri të punësimeve që ofron industria e turizmit.
Po ashtu, sezoni shënoi 166 operatorë turistikë të certifikuar, 396 mjete të certifikuara, 600 udhërrëfyes turistikë të certifikuar.
Oferta gjithëpërfshirëse turistike e vendit ka ndryshuar edhe filozofinë e udhëtimeve, ku pushuesit nuk qëndrojnë vetëm në bregdet dhe turistët nuk e vizitojnë Shqipërinë vetëm në muajt e verës për plazhet, por duan të eksplorojnë ofertën turistike përreth siç mund të jenë agroturizmet, sitet kulturore, shtigjet, festat e panairet lokale.
Për këtë arsye edhe siguria që u ofrohet atyre luan rol të rëndësishëm.
Strategjia e re e Turizmit 2024-2030 do të prezantojë edhe rregulloren e re të administrimit të plazheve.