E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria gjatë sezonit veror 2026, Hita: Kontrolle të shtuara, vigjilencë e shtuar në çdo stacion plazhi

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar se gjatë sezonit veror janë ndërmarrë masa të shtuara për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe turistëve në të gjithë vendin.

Në fjalën e tij, nga Durrësi ku u paraqiten masatë sigurisë, Hita kërkoi vigjilencë e shtuar në çdo pikëkalim, stacion plazhi, rrugë dhe lagje, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

“Viti 2025 tregoi një rritje të jashtëzakonshme të fluksit të turistëve, pushuesve dhe vizitorëve, ndërsa viti 2026 po dëshmon se Shqipëria është tashmë një destinacion i konsoliduar turistik rajonal dhe europian gjatë gjithë vitit. Zgjedhja që miliona vizitorë bëjnë për Shqipërinë përkthehet drejtpërdrejt në përgjegjësi të lartë për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, për të garantuar një mjedis sa më të sigurt. Për Policinë e Shtetit, menaxhimi i sezonit turistik mbetet prioritet absolut dhe shoqërohet me një angazhim të shtuar operacional në të gjithë territorin.Komunikimi profesional dhe etik është çelësi për të ndërtuar besimin e vizitorëve që në minutat e para të qëndrimit të tyre në Shqipëri. Për të favorizuar këtë proces, Policia e Shtetit ka riorganizuar shërbimet dhe ka lehtësuar procedurat në bashkëpunim me fqinjët, për të reduktuar kohën e pritjes dhe burokracitë e tepërta.

Ky imazh pozitiv i ndërtuar në kufi duhet të pasqyrohet me të njëjtën vëmendje dhe në brendësi të territorit, veçanërisht në qendrat turistike ku përqendrimi i pushuesve është më i lartë. Në këto qendra, ne po aplikojmë me sukses, për të disatin vit tashmë, praninë e efektivëve me biçikleta, në zonat pedonale dhe përgjatë vijës bregdetare. Ky model rrit jo vetëm perceptimin mbi sigurinë, por dhe efikasitetin dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët”, tha Hita.

Po ashtu, Hita tha se për mbikëqyrjen dhe kontrollin nga ajri, në mënyrë që të rrisin sigurinë në zonat bregdetare dhe detare do të përdorin edhe dronë.

“Vëmendje e veçantë i kushtohet sigurisë detare dhe Njësia Policore Detare është në gatishmëri të plotë 24/7. Patrullimet shtrihen përgjatë gjithë vijës bregdetare. Këtë sezon, Njësia Policore Detare do të mbështetet edhe nga ajri, përmes dronëve. Nuk do të tolerohet asnjë shkelje me mjetet lundruese që rrezikojnë jetën e pushuesve. Shërbimet tona do të kryejnë verifikimet dhe regjistrimet e mjeteve lundruese të huaja, duke i verifikuar në TIMS“, tha Hita.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›