Siguria kibernetike/ Ministria e Mbrojtjes: Kapacitetet mbrojtëse, jemi të gjashtët në botë

TIRANË- Pas investimeve në forcimin e sigurisë kibernetike dhe modernizimin e sistemeve mbrojtëse, Shqipëria është sot më e përgatitur për t’u përballur me sulmet që kanë në shënjestër institucionet shtetërore.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në një konferencë për mediat tha se vendi renditet i gjashti në botë për nivelin e përgatitjes në mbrojtjen kibernetike, ndërsa bashkëpunimi me SHBA vijon.
“Shqipëria ka mbi 95% të shërbimeve online; pjesa më e madhe e shërbimeve ofrohet online dhe çdo cenueshmëri do të sillte pasoja të rënda, si në vitin 2022, kur është bërë një punë e jashtëzakonshme për të rikuperuar dëmet e shkaktuara. Që nga ajo kohë, Shqipëria ka investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në mbrojtjen kibernetike.
Shqipëria ka një pozicionim shumë të mirë sa i përket përgatitjes për përballimin e rreziqeve të sulmeve kibernetike. Sot jemi të gjashtët në rang botëror sa i përket përgatitjes së strukturave. Bashkëpunimi që kemi me SHBA-në është shumë i lartë; bashkëpunimi i përditshëm që kemi me ta bën që strukturat tona të jenë të gatshme të përballojnë çdo lloj sulmi. Shqipëria është target i sulmeve kibernetike çdo ditë dhe kjo është e theksuar nga faktorë të lidhur me regjimin e Iranit.”, tha ministri
Sa i përket bashkëpunimit ushtarak me Izraelin, Nufi konfirmoi se marrëveshja për prodhimin e dronëve vijon normalisht dhe nuk ka arsye për ndërprerje të kontratës me kompaninë izraelite, ndërsa deri këtë verë autoritetet presin që kompleksi i prodhimit të dronëve në vendin tonë të jetë plotësisht në funksion.
Ministri foli edhe për angazhimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, duke njoftuar për herë të parë dërgimin e një skuadre për të vlerësuar situatën në terren.
Sipas tij, çdo angazhim i trupave shqiptare do të bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe në përputhje me kushtet e sigurisë.
Për praninë e muxhahedinëve iranianë në Shqipëri, Nufi deklaroi se ata ndodhen në vend për arsye humanitare dhe nuk përbëjnë rrezik.
“Pjesëtarët e kampit janë në moshë të thyer dhe nuk lidhen me ndonjë lëvizje më të gjerë që mund të cenojë sigurinë në vend”, tha ai.
/abcnews.al