Siguria në eksplorimin e Alpeve, nevojiten guidat dhe markimi i shtigjeve

Numri i shtigjeve që mund të eksplorohen nga vizitorët e natyrës po rritet vitet e fundit dhe për rrjedhojë kjo ka shtuar interesin për të vizituar Alpet.
Këtë e pohon edhe drejtuesi i Administratës së Zonave të Mbrojtura (ADZM) në Shkodër, Agim Dardha.
Pajisja me tabela informuese ka ndikuar në sigurinë e turistëve, por në çdo rast ato nuk mund të eksplorohen pa një guidë.
“Kemi vendosur tabela informuese me fletëpalosje dhe zyra informacioni në parkun e Alpeve. Mundohemi që të japim informacione sa më të nevojshme që këto pjesë të turizmit natyror dhe këto shtigje të jenë sa më pak të rrezikshme për vizitorët. Edhe në ato raste kur kanë ndodhur incidente me turistët e natyrës, të gjitha kanë qenë raste kur ata nuk ishin shoqëruar nga guidat,” shprehet z. Dardha.
ADZM Shkodër nuk e ka një statistikë të guidave lokale, por numri i tyre është përherë në rritje.
“Kemi edhe guida të palicensuara, por vitet e fundit shumica e këtyre guidave janë licensuar e trajnuar për njohjen sa më të mirë të shtigjeve dhe që të jenë udhërrëfyesit më të mirë jo vetëm të pjesës së natyrës, por edhe kulturës,” shton z. Dardha.
Mbi 1 milion vizitorë eksploruan nga afër territoret e mbrojtura të qarkut të Shkodrës përgjatë vitit 2024.
Edhe fillimviti aktual ka ruajtur trendin në rritje, duke bërë që bujtinat në Theth, Lëpushë apo Vermosh të jenë të rezervuara edhe në janar.
/rtsh.al/