Siguria rrugore, 9 të proceduar në Korçë e Dibër, mbi 2 mijë masa administrative

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Strukturat e Policisë Rrugore në Korçë dhe Dibër kanë vijuar kontrollet intensive në akset rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit gjatë sezonit veror.
Sipas të dhënave të publikuara nga Policia e Shtetit, në qarkun e Korçës, gjatë javës së fundit, u arrestua një drejtues mjeti për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa një tjetër shtetas u procedua penalisht për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Gjithashtu, u vendosën 607 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.
Ndërkohë, në Dibër, gjatë periudhës 1–26 korrik 2026, kontrollet kanë çuar në procedimin penal të 8 shtetasve, ndërsa janë vendosur 1 858 masa administrative. Shkeljet më të konstatuara lidhen me parkimet e gabuara, tejkalimin e shpejtësisë, parakalimet e rrezikshme, drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit dhe shkelje të tjera që rrezikojnë sigurinë rrugore.
Policia bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore, me fokus rritjen e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe parandalimin e ngjarjeve me pasoja.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke nënvizuar se siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët.
/e.i/a.f/