E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria, sfidë kryesore

Sektori i Sigurisë në Kosovë vazhdon të mbetet sfida kryesore sikur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu u tha sot në konferencën një ditore të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. Me këtë rast kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së Ahmet Isufi tha se vështirësitë që janë në vendosjen e sundimit të ligjit në veri, mund të konsiderohet si faktor kyç për brishtësinë e sektorit të sigurisë.

Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, gjatë diskutimit të tij, u koncentrua më shume në fusha siç janë mekanizmi ligjorë, bashkëpunimi në mes institucioneve që janë të angazhuara për sektor të sigurisë, koordinimit me nivelin ndërkombëtar dhe organizatat tjera si dhe në monitorimin e bazës ligjore.

Ndërkaq, nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë duhet të merret si reflektim real i pozitës së Kosovës dhe gjendjes në veriun e vendit,dhe mos të lejohet që qytetarët të jenë ata që marrin ligjin në dorë.

Ndërkaq, Dhurata Sadiku Hoxha, këshilltare politike e Kryeministrit të Kosovës, bëri një përmbledhje të shkurtër të të arriturave në sektorin e sigurisë e më fokus të veçantë në procesin e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë në vend.

Ndryshe, në analizën e publikuar sot nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, njëri ndër konkluzionet kryesore është se Kosova ende ka nevojë të mbetet nën prezencën e lartë të ndërkombëtarëve dhe më së shumti të NATO-së përmes KFOR-it.

Kjo ka treguar se ndihmon shumë në sigurimin e integritetit territorial dhe ngritjes së kapaciteteve të FSK-së në fushat e ngjashme me KFOR-in deri në nivelin e standardeve të NATO-s./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›