E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Siguria ushqimore, Denaj: Kush abuzon, do të shkojë për ndjekje penale

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj deklaroi sot se në drejtim të sigurisë ushqimore është bërë një punë, sipas saj, kolosale.

Në një intervistë në media, Denaj u ndal dhe te raportimet disa javë më parë për mbingarkesë me pesticide të mandarinave.

“Nga 924 ngarkesa me mandarina, vetëm katër prej tyre janë kthyer”, deklaroi Denaj.

Sipas saj, sipërmarrësit vetë duhet të kryejnë kontrollin e ngarkesave, pasi janë ata vetë që shpërndajnë produktin në vende të tjera.

Ministrja tha se në sistemin e raportimeve bën pjesë dhe Shqipëria, e cila ka gjetur dhe ka njoftuar ngarkesa problematike, nga fqinji ynë jugor, Greqia.

Ajo theksoi se krahas inspektimeve në terren, duhet të rritet edhe ndërgjegjësimi i fermerëve për ruajtjen e sigurisë ushqimore.

Sipas ministres Denaj, janë marrë të gjitha masat dhe do të ketë ndëshkime penale për cilindo nga fermerët i cili kapet duke abuzuar me sigurinë ushqimore.

“Për vitin e kaluar janë kryer 111 mijë inspektime dhe kjo është mjaftueshëm për të ngjallur frikën. Unë nuk besoj te frika, para se të besoj te ndërgjegjësimi. Ne kemi sot autokontrollin dhe kështu është dhe në Evropë. Është ndërgjegjësimi i fermerëve se çfarë pesticidesh përdorin. Agronomi e kontrollon. Nuk mundesh që për shtatë ferma që mund të kenë përdorur një produkt të tillë të hedhësh të gjithë produktet e 924 ngarkesave në kosh të plehrave”, tha Denaj.

“Sigurisht, janë për ndjekje penale. Këto janë masa të marra brenda dy ditëve, kur ka ndodhur rasti. Duhet që fermeri të kuptojë që i ka ikur koha përdorimit të çdo produkti që nuk është i lejuar dhe nuk është i certifikuar. Përpjekja për të përmirësuar të gjithë gjurmueshmërinë sot është fakt. Rasti ne nuk na tremb, se siç na raportojnë, edhe ne raportojmë. Të çojmë deri në ndjekje penale, të bëjmë shembull këdo që përdor produkte të cilat janë të palejuara. Nuk mundet që me katër apo pesë raste të përgjithësojmë të gjithë fermerët”, tha ajo.

Ministrja informoi se do të ketë rregullim të inspektimeve për ta bërë të plotë procesin duke zgjeruar gamën e inspektimit dhe ulur numrin.

“Besoj në korrik hyn në fuqi ligji “Për inspektoratet”. AKU në funksionet që janë sot nuk do ekzistojë. Ne kemi bërë gati strukturën dhe Inspektorati i Peshkimit së bashku me atë të Mbrojtjes së Bimëve dhe të Veterinarisë do bashkohen në një inspektorat. Synojmë të bëjmë një modul risku, që kur i shkohet një biznesi i shkohet për shumë gjëra dhe bën një kontroll të sinqertë në raport me biznesit, dhe jo herë pas here trokitje. Nëse duhet të zhvillojmë një bujqësi duhet të rritemi në shkallë, të lidhemi në kontrata, në subvencione, në skemë fiskale të rishikuar. Janë të gjithë aktorët që duhet t’i shërbejnë një ekonomie bujqësore ku ne të mos diskutojmë më ekzistencën e kontratave”, tha më tej ministrja.

Denaj u ndal edhe gripi i shpendëve, duke siguruar se situata tashmë është nën kontroll dhe se nuk ka vend për shqetësim. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›