E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimi i automjeteve, Kuvendi kërkesë AMF-së: Rishikoni “Bonus Malus”

Kuvendi i ka kërkuar Autoritet të Mbikqyrjes Financiare të rishikojë formulën për sigurimin e detyrueshëm për automjetet. Në kërkesën e kuvendit thuhet se modeli që duhet të zbatohet duhet të jetë i përafruar në mënyrë të plotë me skemën italiane. 

“Të rikthejë për diskutim, rishikim dhe vendimmarrje Rregulloren nr.156/2024 “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, duke e përafruar atë në mënyrë të plotë me modelin italian të sigurimeve motorike, i cili përfaqëson një praktikë të avancuar evropiane në drejtim të transparencës dhe ndëshkimit proporcional të riskut”, kërkon Kuvendi.

Në rregullore e miratuar vjet që nisi të zbatohet në janar të këtij viti janë identifikuar 7 faktorë risku që shtrenjtojnë siguracionin si fuqia motorike, mosha e re shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit të mjetit, vjetërsia e makinës dhe historiku me aksidentet. 

Ato qytetarë që kanë regjistruar mjetin në Berat, Dibër apo Kukës përfitojnë lehtësi, ose bonus ndërsa ata që janë të regjistruar në Tiranë e qarqet e tjera penalizohen për shkak të incidencës së lartë të aksidenteve. 

Nga viti i ardhshëm të gjithë ata që kanë shkaktuar qoftë edhe 1 aksident me makinë do të paguajnë më shumë prim sigurimi, ndërsa për drejtuesit e rregullt do të ketë shpërblim me ulje sigurimi.

Por për deputetët rregullorja bonus malus me këto faktorë risku favorizon më shumë kompanitë e sigurimit sesa drejtuesit e mjeteve. 

Kuvendi propozon që modeli i ri duhet të parashikojë: 

* Vendosjen e një sistemi funksional “bonus–malus” që nxit sjelljen e kujdesshme dhe penalizon shkeljet e përsëritura. 

* Përfshirjen e paketës familjare të sigurimit, që lejon transferimin e bonusit brenda familjes. 

* Përllogaritjen e personalizuar të primit sipas historikut individual të drejtimit të mjetit. 

* Diferencimin gjeografik të primit sipas nivelit lokal të riskut dhe frekuencës së aksidenteve 

Sipas të dhënave zyrtare, sigurimi i detyrueshëm motorik, TPL, vijon të jetë shtylla kryesore e tregut të sigurimeve në vend.

Për 9-mujorin e vitit 2025, primet e shkruara bruto nga ky produkt arritën në 10,5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe duke zënë 56,6% të tregut të sigurimeve të jo-jetës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›