Sigurimi shihet si luks, jo si domosdoshmëri/ Rreth 92% e primeve vetëm për makinë, jetë dhe pronë

Sigurimi i makinës, jetës dhe më pas pronës, zë 92% të portofolit të sigurimeve në Shqipëri.
Këto janë produktet e sigurimit më të zgjedhura nga shqiptarët.
Po për sa i përket produkteve të tjera që ofrojnë kompanitë?
Shqipëria është një nga 3 vendet ku qytetarët nuk preferojnë të zgjedhin produkte të tjera të sigurimit përveç makinës, jetës dhe pronës.
Sipas një raporti të platformës ndërkombëtare për të dhënat e industrisë së sigurimeve, Xprimm, në Shqipëri, Hungari dhe Rumani, produktet e tjera të sigurimit të jo-jetës zënë vetëm 8% të primeve të shkruara bruto në portofolin total të sigurimeve në krahasim me 15% që është mesatarja e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Çfarë do të thonë këto dy fakte për kulturën e sigurimit në Shqipëri?
Shqiptarët nuk kanë një kulturë të kultivuar mirë sigurimi me këtë të fundit që shihet më tepër si luks sesa domosdoshmëri, shihet më tepër si detyrim sesa zgjedhje.
Makina, jeta dhe prona preferohen më shumë se produktet e tjera të sigurimit për arsye se sigurimi i makinës është i detyrueshëm, ndërsa sigurimi i jetës dhe i pronës është po ashtu detyrim të paguhet në momentin që një qytetar merr kredi në bankë.
Nëse nuk do të ekzistonte sigurimi i detyrueshëm i makinës dhe kushti që vendosin bankat për sigurimin e jetës dhe pronës së një kredimarrësi, shkalla e penetrimit të ketyre produkteve do të ishte shumë më e vogël.
Pra, ne renditemi të fundit në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore për sa i përket preferencës së ulët për produkte të tjera të sigurimit të jo-jetës.
Për një individ që ka makinë, si dhe ka marrë kredi në bankë e për rrjedhojë duhet të paguajë sigurim edhe për jetën e pronën, kjo rëndon shumë në xhepin e tyre krahas shpenzimeve të tjera të jetesës. Ndaj, për shumë shqiptarë, sigurimi shihet si një kosto e tepërt.