Siluetën vigane të Abaz Kupit nuk e zhbën dot kurrkush, aq më pak historianët e Enver Hoxhës
Nën vorbullën e përpjekjeve të gjithanshme që e ka kapluar tani intelektin shqiptar gjatë përpjekjeve për ta festuar sa më mirë, sa më drejt e sa më saktë njëqindvjetorin e pavarësisë së vendit, them me bindje që sado që të mundohet ndokush të anashkalojë veprën e Abaz Kupit, apo të zbehë përpjekjet e tij nuk do të jetë gjë tjetër veçse një rrahje uji në havan, për arsyen e bukur se, për fat të mirë, ende nuk kanë vdekur të gjithë dëshmitarët okularë, të cilët flasin vetë dhe i hedhin poshtë me përbuzje kësi manovrimesh qëllimkëqija.
Abaz Kupi është pinjoll i një dere të madhe të Krujës, veshur ndër shekuj si me pasuri, ashtu edhe me pushtet; pra e kishte prej shekujsh vendin në krye të traditës dhe të patriotizmit shqiptar. Kështu, ky djalë fenomenal, duke bërë shkollën e vatrës shqiptare, qe rritur me të tilla ndjenja, madje qe ushqyer aq mirë saqë kur ndodhi në Krujë që krutanët e ngritën flamurin e Skënderbeut dhe kur një turkoman, tregtari Asllan Hoxha e uli këtë flamur dhe vuri në vendin e tij flamurin me gjysmë hënë, djaloshi Abaz Kupi nuk duroi dot më gjatë, po qiti dhe e vrau guximtarin turkoman, duke e hedhur madje që nga shtiza, shakull në tokë.
Meqenëse Abaz Kupi e as shokët e tij nuk pajtoheshin dot me pushtimin austriak, ky ka jetuar si i arratisur deri në vitin 1922, kur me vështrimin si shqiponjë, atij i zuri syri Ahmet Zogun, qëndrimi dhe luftërat e të cilit e tërhoqën Abazin aq shumë, duke e bindur se ishte pikërisht ky djalë matjan, personi që kishte pas kërkuar vendi prej kohësh. I bindur pra katërciprisht se ky ishte personi që kishte kërkuar prej kohësh, Abaz Kupi, vajti e u takua me të, me ç’rast i dha besën shqiptare dhe u lidh me politikën e tij në mënyrë të përjetshme. Ahmet Zogu e nuhati shumë shpejt natyrën e këtij krutani dhe, në çast e gradoi atë toger xhandarmërie, duke i besuar madje zgjidhje problemesh nga më të rëndësishmet e madhoret, të cilat Abaz Kupi ia zgjidhi më së miri. Në këtë mënyrë, si njëri, ashtu edhe tjetri, u lidhën së bashku, duke u bërë dy mishra e një shpirt” - siç i thonë fjalës.
Dihet që qysh pas Kongresit të Lushnjës, Ahmet Zogu shkëlqeu si nga mendja ashtu edhe nga forca ushtarake dhe u bë faktor i vërtetë i kësaj ngjarjeje kaq madhore të historisë së vendit tonë, u pa qartë se shokët e tij u bënë shumë xhelozë ndaj karrierës së tij të shkëlqyeshme. Kështu që kur erdhi puna për ta qeverisur vendin, këta xhelozë nuk e patën aspak të vështirë që të ktheheshin nga kundërshtarët politikë të Ahmet Zogut në armiq të egër, të cilët, ditën bashkëpunonin me të në parlament e në qeveri, kurse natën në terr, silleshin posi shtrigat e Makbethit, duke kurdisur komplote për të vrarë Ahmet Zogun me çdo mjet e me çdo kusht. Në përballjen e këtyre komploteve, nuk ka pikë dyshimi se Ahmet Zogu e ka pasur Abaz Kupin posi engjëllin e tij të rojes, në sajë të vigjilencës së të cilit, të gjitha përpjekjet e tyre shkuan bosh. Dhe një nga më të spikaturit e këtyre armiqve ishte Avni Rustemi, kryetar i Organizatës “Bashkimi”, e cila, si nga forma, ashtu edhe nga qëllimet, nuk ishte tjetër pos një rrem shqiptar i partisë bolshevike të Moskës. Më në fund, Avni Rustemi kërkoi e gjeti një djalosh matjan, Beqir Valterin. Ky, si njeri idealist po shumë i ekzaltuar, ia pranoi Avni Rustemit kërkesën për të vrarë Zogun. Atentati ndodhi bash në derë të Parlamentit. Qysh atë kohë, historia e ka të qartë se roja e tij e padukshme dhe vigjilente ka qene Abaz Kupi. Prandaj, nuk mund të mbulohet fakti se Mbreti Zog ka pasur gjithmonë shifër sekrete Abaz Kupin, qoftë kur ky ka qene president i Republikës e po ashtu kur u bë mbret.
Autori është kalorës i Urdhrit të Meritës i Republikës së Francës
...