Sipërmarrësi shqiptar me rrjet restorantesh në Itali, Balla: Model i suksesit jashtë vendit

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla përcolli sot shembullin e suksesshëm të një tjetër shqiptari i cili jeton në Itali.
Biznesmeni Bleron Islami nga Korça ka hapur një rrjet restorantesh në Itali, një prej të cilëve në zemër të kryeqytetit italian, në Piazza Navona.
“Një djalë nga Korça, Bleron Islami, i cili prej 20 vitesh jeton e punon këtu dhe tanimë mund të quhet një model i suksesit të bashkatdhetarëve tanë, këtu në kryeqytetin e Italisë dhe kryeqytetin botëror të turizmit, sikurse është Roma, në Piazza Navona, ku numri i turistëve është një ndër më të mëdhenjtë,” tha Balla.
Biznesmeni Bleron Islami ka punësuar edhe shqiptarë të tjerë.
“Bleroni ka 7 restorante të cilat i administron vetë dhe ky është një numër i shkëlqyer. Ajo që dua ta vlerësoj shumë është që edhe stafin apo bashkëpunëtorët e tij, shumica janë nga Shqipëria,” tha Balla.
Bleroni tregon se rreth 80% e bashkëpunëtorëve janë nga Shqipëria. “Gjithmonë kam dashur të angazhoj, të ndihmoj dhe të bashkëpunoj me bashkatdhetarët tanë, sepse duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin”, shprehet ai. /m.m/j.p/