Siria njohu Kosovën, media kroate: Vuçiç në shok, “dush i ftohtë” nga Damasku

Media e njohur kroate “Veçernji list”, i ka dedikuar një artikull njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Siria.
Sipas artikullit, ky vendim i Damaskut zyrtar është një “dush i ftohtë” për presidentin e Serbisë, për shkak të raporteve të mira ekonomike e politike në mes të Sirisë dhe Serbisë.
“Për Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë viteve të fundit ka këmbëngulur në ruajtjen e marrëdhënieve “vëllazërore” me Damaskun, ky hap vjen si një dush i ftohtë. Vendimi i qeverisë siriane për të njohur pavarësinë e Kosovës përfaqëson një nga goditjet më të rënda në politikën e jashtme për Aleksandër Vuçiçin në vitet e fundit.
Veçanërisht befasuese është që Siria, nën udhëheqjen e presidentit Bashar al-Assad, për vite me radhë kishte refuzuar ta njihte Kosovën, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të ngushta me Moskën dhe ndikimit të presidentit rus Vladimir Putin”, shkruan “Veçernji list“.
Sipas medias kroate, Serbia, e cila nuk ka vendosur sanksione ndaj Sirisë pavarësisht kërkesave të Perëndimit, ka mbajtur marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike me Damaskun.
Lajmi për njohjen e shtetit të Kosovës nga Siria u bë i ditur ditën e djeshme nga presidentja Vjosa Osmani.
Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, e njohën atë. Ndërsa në total, deri tani, Kosovën e kanë njohur 120 shtete.
