Sistemi i ri i shitjes së biletave, FSHF: Synon barazi dhe gjithëpërfshirje

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), në një njoftim për mediet sqaron se sistemi i ri i shitjes së biletave për ndeshjet e Kombëtares, synon të sigurojë barazi dhe gjithëpërfshirje për të gjithë tifozët shqiptarë.
Sipas njoftimit, në përputhje me praktikat më të mira evropiane, FSHF ka vendosur që të gjitha biletat të shiten online dhe çdo person të ketë mundësinë të blejë maksimumi 4 bileta. Ky sistem është vendosur për të garantuar një proces të hapur dhe të drejtë, ku çdo tifoz ka mundësi të barabartë për të qenë pjesë e mbështetjes së Kombëtares.
Për shumë vite, grupe të ndryshme tifozerike kanë pasur mundësinë të sigurojnë bileta të rezervuara nga FSHF. Megjithatë, me rritjen e kërkesës për bileta dhe dëshirën për të krijuar një qasje më të hapur për të gjithë tifozët shqiptarë, është vendosur që nga tani e tutje biletat të jenë të aksesueshme përmes një procesi të drejtë dhe transparent.
FSHF vlerëson dhe respekton të gjithë ata që kanë mbështetur Kombëtaren ndër vite dhe beson se tifozëria shqiptare, në të gjithë larminë e saj, do të vazhdojë të krijojë atmosferën e zjarrtë që gjithmonë ka dalluar ndeshjet e Kombëtares sonë. Ky vendim nuk synon përjashtimin e askujt, por përkundrazi, garantimin e mundësisë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e spektaklit të Kombëtares.
FSHF mbetet e hapur për çdo sugjerim apo diskutim që ndihmon në përmirësimin e përvojës së tifozëve dhe në forcimin e lidhjes mes ekipit Kombëtar dhe mbështetësve të tij të zjarrtë.
/a.f/