E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi i vaditjes së tokave bujqësore, nis rehabilitimi i liqeneve dhe kanaleve në Dropull

Bashkia Dropull ka nisur  rehabilitimin e liqenit të Likomilit dhe kanalit që lidh këtë rezervuar me liqenin e Pepelit.

Ndërhyrjet në këto vepra vaditëse pritet të ndikojnë në rritjen e sipërfaqeve të tokave që fermerët mund të mbjellin dhe të shfrytëzojnë për prodhim bujqësor.

“Njëkohësisht, është përgatitur dokumentacioni për ndërhyrjen dhe rehabilitimin e kanalit vaditës nga Pecalludha në Bodrishtë, deri në Jerkucat. Është një vepër që do të përmirësojë infrastrukturën vaditëse të Bashkisë së Dropullit për vitet e ardhshme. Gjithashtu, mirëmbajtja dhe rehabilitimi i të gjitha këtyre digave do të rrisin kapacitetin ujëmbajtës të rezervuarëve dhe do të rrisin sipërfaqen e mbjellë nga fermerët, duke mundësuar vaditjen gjatë periudhës së verës”, u shpreh Grigor Dushi.

Këto sipërfaqe zakonisht mbillen me grurë, misër dhe jonxhë.

“Kryesisht, sipërfaqet e mbjella në Bashkinë e Dropullit janë me misër dhe jonxhë, të cilat janë kultura që kërkojnë vaditje. Pjesa tjetër është e mbjellë me grurë, tërshërë dhe hasëll për dimër. Është një numër i madh fermerësh që janë banorë të Bashkisë së Dropullit. Ka edhe fermerë të bashkive fqinje, të cilët marrin me qira toka të Bashkisë së Dropullit dhe i kultivojnë gjatë gjithë periudhës”, tha Dushi.

Me rehabilitimin e liqeneve dhe kanaleve vaditëse, synohet që të krijohet me tepër mundësi për shfrytëzimin e një sipërfaqeje më të madhe nga fermerët e zonës dhe për rritjen e prodhimit bujqësor.

Gazetare: E. Domeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›