E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata e zjarreve në Maliq – Dy vatra gjatë verës, strukturat e emergjencave civile në gatishmëri

Dy vatra zjarri kanë kërkuar ndërhyrjen e strukturave të emergjencave civile në Bashkinë Maliq gjatë këtij sezoni veror.

Vatrat janë regjistruar në fshatin Maliq‑Opar dhe në Leminot, ndërsa për të dyja rastet dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht.

Aktualisht po punohet për identifikimin e autorëve.

Situata, në përgjithësi, paraqitet e qetë dhe pa dëme të konsiderueshme.

“Gjatë këtyre ditëve të fundit kemi pasur dy raste sporadike të zjarrvënieve, për të cilat po kryhen të gjitha procedurat nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. Falë koordinimit të shpejtë të strukturave të mbrojtjes civile në Bashkinë e Maliqit, është arritur që të bëhet sinjalizimi dhe njoftimi në kohë i zjarrit, si dhe të merren të gjitha masat në koordinim të plotë me çdo strukturë që kemi në terren. Është bërë fikja në kohë, mund të themi rekord, pa pasoja të agravuar ose të mëtejshme nga këto zjarrvënie.” – Stiljan Belishta, Shef i Sektorit të Emergjencave Civile

Strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo situate dhe për të ndërhyrë në kohë në rast të shfaqjes së vatrave të reja gjatë sezonit veror. Autoritetet u bëjnë apel banorëve të tregojnë kujdes dhe të njoftojnë menjëherë për çdo vatër zjarri.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›