Situata e zjarreve në vend paraqitet nën kontroll, 2 vatra mbeten aktive, 4 nën monitorim

Situata e zjarreve në vend paraqitet kryesisht e qetë, ku shumica e vatrave janë nën monitorim dhe kontroll nga forcat zjarrfikëse për të mos lejuar përhapjen e flakëve. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se në 24 orët e fundit, nga 12 vatra zjarri të regjistruara, 6 janë shuar plotësisht, 4 mbeten nën monitorim dhe 2 janë ende aktive.
Vatrat aktive dhe në monitorim
Fshati Xeth, Fushë-Arrëz – Vatra pothuajse e izoluar, me riaktivizime të vogla që po mbahen nën kontroll nga shërbimi pyjor.
Fshatrat Damjan, Fortuzaj dhe Isufaj, Tiranë – Zjarri është minimizuar dhe po mbahet në mbikëqyrje. Në terren ndodhen zjarrfikës, policia dhe forca bashkiake.
Pranë tunelit të Krrabës, Tiranë – Një vatër e re është regjistruar pasditen e sotme, ku zjarrfikësit po punojnë për izolimin e saj.
Parku Natyror Gërmenj, Leskovik – Vatra e rënë më 11 gusht vijon të mbahet nën monitorim nga forcat bashkiake, ndërsa situata paraqitet e qetë.
Fushë-Krujë, afër fabrikës së çimentos – Zjarri i rënë më 19 gusht vijon me intensitet të ulët, por është i izoluar dhe po mbahet nën kontroll nga zjarrfikësit e Krujës.
Fshati Lapardha, njësia Kotë – Zjarri i rënë më 19 gusht është riaktivizuar dhe vijon të mbetet aktiv, pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse të Selenicës.
Autoritetet vijojnë të mbajnë nën kontroll situatën, ndërsa apelojnë për kujdes nga qytetarët për të shmangur ndezjen e zjarreve në zona pyjore dhe bujqësore.
Vatrat e shuara plotësisht
1. Lagjja nr. 1, Rrogozhinë
2. Fshati Ahmataj, Tropojë e Vjetër
3. Fshati Llugaj, bashkia Tropojë
4. Fshati Sohodoll, bashkia Dibër
5. Lagjja nr. 3, Vlorë
6. Fshati Durisht, Petrelë, Tiranë
/rtsh.al/